Shkruan: Jehona IBISHI & Mimozë RESTELICA
Podujeva, Prizreni, Hani i Elezit dhe Skenderaji janë komunat kryetarët e të cilave nuk janë ndërruar tash e tri mandate. Për Agim Veliun, ky është mandati i tretë që vazhdon të jetë kryetar i Komunës së Podujevës. Madje, këtë post në këto tri mandate ai e ka fituar çdo herë në raudin e parë të votimit, për pa e „rrezikuar“ fitoren me balotazh me një kundërkandidat apo çfarëdo qoftë tjetër. Në fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale në vitin 2013 Agim Veliu kishte bërë 15 premtime në fusha të ndryshme, premtime këto të cilat i’a siguruan edhe mandatin e tretë si kryetar i llapjanëve. Se sa ka arritur të i realizoi premtimet e tij deri tani, Instituti GAP ka bërë një analizë të premtimeve të Agim Veliut, për të cilat ka caktuar përqindje për realizueshmërinë e tyre.
Sipas Institutit GAP, deri tani Veliu ka përmbushur 33% të premtimeve. Nga 15 premtime sipas GAP-it, pesë janë realizuar 100%, dy nuk janë nisur fare të realizohen, ndërsa tetë të tjera janë në gjysmë të realizimit. Në fushën e arsimit, Agim Veliu kishte premtuar se do të përkrahen në mënyrë të veçantë studentët dhe nxënësit me rezultat të mirë. Sipas GAP-it, ky premtim është realizuar 100%. Mirëpo, në bursat komunale që ka ndarë komuna jo të gjithë përfituesit kanë pasur rezultat të mirë. Përfituesit më të mëdhenjë të bursës komunale në Podujevë kanë qenë studentët dhe nxënësit që janë shfrytëzues të asistencës sociale, ata me nevoja të veçanta dhe ata që u mungojnë prindërit, ani pse nuk kanë pasur rezultate të mira në studime apo në shkollë të mesme. Se bursat janë ndarë për këto kategori të nxënësve dhe studentëve e pranon edhe Shefi i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Xhevat Llugaliu. Në realizimin e këtij premtimi ka munguar edhe transparenca. Përfituesve të bursës komunale asnjëherë nuk u është publikuar nota mesatare apo pikët që kanë grumbulluar nga kriteret e shpalluara në konkurs. Deri vitin e kaluar listat e përfituesve të bursës komunale janë publikuar vetëm me emër dhe mbiemër të përfituesit. Këtë vitë, listat janë pasuruar edhe me emër të prindit dhe vendbanimit, por jo edhe me notë mesatare.
Premtimi për rregullimin e infrastrukturës në të gjitha vendbanimet e Podujevës sipas GAP-it është realizuar 90%, ndërsa në media është raportuar se në lagjen „Drenica“ në qytet banorët ende përballen me mungesën e rrjetit të kanalizimit. Drejtori i Shërbimeve Publike në Podujevë, Faik Muçiqi, pati thënë se ky problem pritet të zgjidhet në vitin 2016, por, sipas Flakron Gashit, këshilltar komunal nga radhët e PDK-së një gjë e tillë nuk është e paraparë në buxhetin e vitit 2016. Edhe banorët e fshatit Letanc kanë probleme me kanalizim. Muhamet Rexhepi banor i këtij fshati në KTV ka deklaruar se çdo ditë i duhet të kujdeset që pusetën që e ka përpara shtëpisë, ku derdhen ujërat e zeza, ta zbrazë me një pompë. Çështja e ujrave të zeza nuk është rregulluar as në lumin Llap. Një gjë e tillë ishte premtuar të rregullohet në dy vitet e para të qeverisjes. Por, edhe vet Veliu e kishte pranuar në emisionin „Jeta në Komunë“ se nuk ka arritur ta përmbush këtë premtim, duke akuzuar nivelin qendror për mospërkrahje.
„Do të ofrohen kushte infrastrukturore më të mira për nxënësit” është një premtim tjetër i Agim Veliut. Ky premtim sipas GAP-it është realizuar 32%. Në këtë përqindje të GAP-it ka hyrë rinovimi i shkollës fillore në fshatin Shajkovc, Katunishtë dhe rregullimi i oborrit të Shkollës së Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë. Sikur këto tri shkolla të përbënin gjithë infrastrukturën shkollore në Podujevë. Kemi Shkollën Fillore “Enver Maloku” në qytet, gjendja e së cilës është e jashtëzakonshme, pasi në këtë objekt nuk është bërë asnjë rinovim në dy vitet e fundit për shkak të pritjeve që 900 nxënësit e kësaj shkolle të kalojnë në objektin e Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”. Një gjë e tillë do të mund të ndodhte kur gjimnazistët të kalojnë në objektin e ri, objekt ky i cili ka filluar të ndërtohet në vitin 2009 e që ishte paraparë të ishte i gatshëm për vitin shkollor 2011/12. Kjo nuk ka ndodhur ende. Shkolla tjetër fillore “Luigj Gurakuqi” në fshatin Batllavë ka një vit që ka filluar të ndërtohet, por nuk dihet nëse do të funksionalizohet deri në shtator të këtij viti për shkak të procesit të ngadalshëm të punimeve. Se mungojnë kushtet e mira infrastrukturore në shkolla të Podujevës e tregojnë edhe tualetet e shkollave. Edhe pse nuk ka më shumë se gjashtë vite kur është ndërtuar objekti i Shkollës Fillore „Hamit Sejdiu“ në fshatin Kërpimeh, tualetet e kësaj shkolle janë në gjendje të mjerueshme.
Në mesin e 15 premtimeve të Agim Veliut, dy nuk kanë nisuar fare të realizohen. Fjala është për premtimin „Ndërtimi i një Zone Industriale për bizneset“ dhe „Ndërtimi i një qendre rekreative- sportive në Kërpimeh“. Kjo e fundit pritet së shpejti të nis realizimin, pasi Ministria e Kulturës tash së fundi ka ndarë 55 mijë euro për të investuar në ndërtimin e fushave sportive në Kërpimeh dhe mbulimin e fushës në fshatin Lupç i Poshtëm.
1% përqind është vlera që Instituti GAP i ka dhënë premtimit se do të forcohet roli i gruas në vendimarrje. Këtë përqindje ky institut e ka mbështetur me komentin se premtimi nuk ka nisur të realizohet. „Asnjë drejtori në komunë nuk udhëhiqet nga femrat“ thuhet në komentin e GAP-it. Sipas kësaj, GAP-i është dashur të jap vlerën 0% . Por, në fakt nuk është se asnjë drejtori nuk udhëhiqet nga femrat. Drejtoria e Inspeksionit që nga janari i vitit 2016 udhëhiqet nga Florie Abazi- Besholli, e cila është edhe drejtoresha e parë femër që nga paslufta në Komunën e Podujevës.
Analiza e Institutit GAP për realizimin e këtyre premtimeve nuk del të jetë edhe shumë e saktë. Vlerat e larta të përqindjeve që këta të fundit kanë dhënë për premtimet e Agim Veliut nuk përputhen me realizueshmërinë e premtimeve. Shumë nga këto premtime kanë mbetur në gjysmë të realizimit, derisa GAP-i ka vlerësuar me 100% realizueshmërinë e tyre. Këto përqindje GAP-i i ka mbështetur me disa komente për secilin premtim, komente të cilat shpesh nuk qëndrojnë. Pra, ka raste kur përqindjet e premtimeve nuk përputhen me komentet. Një rast i tillë u përmend më lartë tek premtimi se do të forcohet roli i gruas në vendimarrje. Premtimet e shumta të Agim Veliut nuk mungojnë. Janë edhe shumë premtime tjera që përmenden në Istitutin GAP, të cilat Veliu i kishte bërë në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2013, por, realizimi i këtyre premtimeve është i vogël.
Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit “Llapi.info”.