Partia Demokratike ka vijuar sot me akuza kundër qeverisë. ipas kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, ministrat janë shndërruar në sekserë që punësojnë njerëz në administratë.
“Edi Rama thotë se po bën shtet, dhe ka ardhur për të bërë shtet jo për të punësuar njerëzit në shtet. Kjo sigurisht është një prej gënjeshtrave e mashtrimeve të koleksionit të tij. Ai në fakt është në krye të një shteti të korruptuar, kriminal, një ngrehine me lidhje nepotike, ku në punë të fut vetëm paraja dhe njohja me deputetin e ministrin”, u shpreh Alibeaj në një dalje para medieve.
Duke iu referuar një “dokumenti konfidencial”, ish-ministri demokrat i Drejtësisë akuzon ministrat Tahiri, Harito, Bushati, Nikolla, Hysi, si dhe deputetë socialistë se kanë punësuar persona në Drejtorinë e Burgjeve.
“Ky pra është shteti i Edi Ramës. Një shtet i korruptuar, tribal, që funksionon me lidhje nepoltike e me rekrutime me para në dorë. Skandale si këto e një qeverie të zhytur në korrupsion e krim e kanë ngritur popullin në këmbë”, vijoi Alibeaj.
“Padrejtësi si këto kanë nxitur revoltën e madhe popullore. Ndaj qytetarët, të majtë e të djathtë, pa dallim, janë në këtë protestë për ta shporrur këtë shtet të korruptuar e kriminal. Më 17 dhjetor, të enjten, në dyert e Parlamentit për të ndalur qeverinë më të korruptuar të popullit më të varfër në Evropë”, theksoi ai.