Ambasadori amerikan Donald Lu, iu drejtua gjyqtarëve të ndershëm të Shqipërisë në Konferencën Gjyqësore Kombëtare, duke thënë se duhet të kenë besim, pasi ndryshimi po vjen.
Ambasadori amerikan shtoi se, “nuk është se nuk ka politikanë të korruptuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës , por rreziqet e ekspozimit janë të mëdha”.
Sipas tij, në Shqipëri ka gjyqtarë të korruptuar dhe gjyqtarë të ndershëm. “Ma merr mendja se shumë prej jush nuk do ta identifikonin veten si gjyqtarë të korruptuar. Më lejoni t’ua them këtë në shqip, për të qenë i qartë. Prova ime për korrupsionin është e thjeshtë: U them të korruptuarve se nëse keni marrë para në shkëmbim të një vendimi gjykate, qoftë edhe një herë, jeni të korruptuar. Nëse ulni kokën dhe mbani një orë që kushton më shumë se makina ime, jeni të korruptuar. Nëse është ky rasti, iu rekomandoj që ta lini këtë profesion menjëherë”, theksoi Lu.
“Së dyti, për gjyqtarët e ndershëm: kini besim, ndryshimi po vjen. E di që është e vështirë të jesh një gjyqtar i ndershëm. Nuk punon për shumë para dhe ka trysni nga çdo drejtim për të marrë vendime të rëndësishme për të gjitha arsyet e gabuara. Gjyqtarët e ndershëm, si ju, meritojnë të punojnë në një sistem që shpërblen integritetin. Ju meritoni të promovoheni në bazë të meritës dhe të përvojës. Të ndershmit e dinë se ndryshimi i sistemit të drejtësisë nuk do të jetë i lehtë, duhen reforma të mëdha e të menduara”, përfundon fjalën Donald Lu.
Ndërkohë në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani theksoi se “parimi i pavarësisë së gjyqësorit është i padiskutueshëm”. “Gjykata mbi pushtetet e tjera është standardi që dua unë të arrij. Gjyqësor i besueshëm është që t’i shërbesh komunitetit sipas nevojës”, tha Manjani.
Ministri i Drejtësisë deklaroi: “Nuk besoj që korrupsioni më i madh është në radhët e gjykatësve. Ky fenomen është i përhapur edhe në sektorë të tjerë, por ne kërkojmë nga gjykata të ndëshkojë korrupsionin, të vetin po e po, por edhe të të tjerëve. Për këtë arsye duam një pushtet gjyqësor mbi pushtetet e tjera. Shpresa e vetme për një shtet të pakorruptuar është gjykata”.