Çështja “Doshi” rikthehet në Gjykatën e Lartë. Deputeti i Shkodrës Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami, do të ulen mesditën e së martës në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Lartë. Ndaj të treve, Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur akuzën e “kallëzimit të rremë”, lidhur me denoncimin që bëri Tom Doshi për një skenar për vrasjen e tij dhe deputetit Mhill Fufi.
Gjithçka nisi nga një video ku Durim Bami, një personazh fort i njohur për drejtësinë shqiptare, shfaqej duke rrëfyer një skenar për vrasjen e Doshit dhe Fufit. Në video ai i rrëfente Doshit se ishte paguar në shumën e 500 mijë eurove për ta vrarë.
Bami fliste me emra konkretë urdhëruesish e ndërmjetësish, ndërsa theksonte se nuk e kishte vënë në jetë planin, pasi ishte penduar. Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi menjëherë hetimet.
Ka shumë mundësi që Mark Frroku dhe Durim Bami të kërkojnë shpalljen e moskompetencës nga Gjykata e Lartë dhe gjykimin e çështjes së tyre nga Gjykata e Tiranës. Nëse ndodh kjo, atëherë në Gjykatën e Lartë ngelet për t’u gjykuar i vetëm deputeti Tom Doshi, që do të tentojë sërish të sjellë para drejtësisë, drejtuesi e shtetit shqiptar, ashtu siç bëri dhjetë muaj më parë.