Në seancën e fundit të mbajtur në Kuvendin e Podujevës është diskutuar propozim-rregullorja për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane. Mirëpo, kjo rregullore që do të duhej të miratohej para dy vjetësh, kur i kishte përfunduar të gjitha procedurat, me shumicë votash të LDK-së është vendosur të pezullohet, raporton Llapi.info.
Këtë propozim para asamblesë e ka paraqitur drejtori i Administratës, Gëzim Namani, i cili kishte paraparë që ky dokument të vihej në diskutim publik dhe i kishte propozuar edhe datat e tri takimeve me qytetarë.
Por, këtij propozimi i reagoi drejtori tjetër për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Hamdi Jaha, i cili tha se tubimi me qytetarë nuk duhet të organizohen, pasi sipas tij, kjo bie ndesh me Ligjin në fuqi.
“Është propozim për debat publik. Ky propozim-rregullore është bërë në bazë të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë. Debati publik do të bëhet brenda 1 muaji nga 14 shtator deri më 15 tetor 2020. Ne si drejtori jemi të gatshëm që kurdo që vendosni për datën e debatit ne jemi të hapur”, ka thënë Namani.
Bashkëpartiaku i tij, shefi grupit të këshiltarëvre të LDK-së, Hasan Ajeti, ka pasur vërejtje për që rregullorja parasheh që brenda një këshilli të bashkohen 4-5 fshatra.
“E kam një vërejtje që rregullorja parasheh se duhet brenda një këshilli të bashkohen 4 fshatra. Sa është e mundshme kjo të bëhet në praktikë nuk e di, kur dihet që ka një distancë të madhe ndërmjet fshatrave. Edhe kompensimi i kryetarëve të këshillave lokalë që duhet të bëhet nga buxheti komunal, unë e shoh se mund të kemi probleme”, tha ai.
Për këshilltarin e VV-së, Bajram Ajeti, kjo rregullore është dashur të miratohet qysh në herën e parë.
“Prita që drejtori po kërkon falje për propozim-rregulloren tjetër për të cilën është kryer edhe dëgjimi publik në 2018. Dhe në vitin 2019 është nxjerr edhe një udhëzim administrativ, i cili i obligon komunat të bëjnë plotësim-ndryshimet e nevojshme e rregulloreve për t’i harmonizuar me të, por që nuk është bërë deri tash”, ka thënë Ajeti.
“Unë kam bindjen që ju keni dashtë të vazhdoni me ata kryetarë që janë të emëruar dhe jo të zgjedhur, pra edhe kryetarë katunesh edhe kryetarë nëndegësh. Sidoqoftë, më mirë vonë se kurrë dhe është mirë që më në fund e keni sjellë në Kuvend”, është shprehur Bajram Ajeti.
Kurse, shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Fatmir Rudari, e ka cilësuar këtë rregullore si të vonuar.
“Dilemat tona janë te numri i këshillave. A kemi mundësi që t’i rrisim. Në një debat që e organizoi shoqëria civile u tha që 52 këshilla do të ishte ideale”, ka thënë ai.
Ndërsa, bashkëpartiaku i tij, Rafet Llapashtica, ka propozuar që anëtar të atij Komisioni për zgjedhjen e këshillave të jenë edhe nga shoqëria civile.
Drejtori Gëzim Namani, ka thënë se Udhëzimi Administrativ i MAPL-së nuk e lejon që të kenë më shumë se 30 këshilla në Komunën e Podujevës.
“Me gjithë dëshirën që të kemi për secilin fshat. Te pagesa në UA flitet për kompensim vetëm për kryetarët e këshillave për 6 takime të mbajtura brenda vitit kalendarik. Te ndarja gjografike, për qytet është marrë për bazë harta zonale, ndërsa për fshatra kufiri kadastral. Për data të debatit po i propozoj 15, 22 dhe 27 shtator”, është shprehur Namani, pa e ditur që data 27 shtator është e diel. më vonë, kur kjo i është treguar ka thënë se të ndërrohet me datën 28.
Bajram Ajeti ka kërkuar që të mbahen 15 dëgjime publike. Kurse, Rafet Llapashtica, ka thënë se pandemia nuk ua lejon të mbajnë shumë takime, dhe se në qoftë se ndodh atëherë duhet të sigurohen maska mbrojtëse dhe dezinfektant.
Por, drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Hamdi Jaha, ka thënë se asnjë debat nuk do ta kishte organizuar, pasi sipas tij, kjo bie ndesh me Ligjin.
Kjo është kundërshtuar nga këshilltarët e VV-së, të cilët kanë thënë se takime të ngjashme është duke i organizuar ekzekutivi edhe në objektin komunal dhe po ashtu edhe trajnime nga organizata të ndryshme.
“Unë po e shoh që po mbani trajnime në komunë, po ndani subvencione e krejt këto po bënë, ndërsa për këtë nuk po bënë”, ka thënë Avni Fetahu.
Ndërsa, shefi i GK të LDK-së, Hasan Ajeti, ka propozuar që takimet me qytetarë të suspendohet për një kohë, edhe pse këshilltarët e VV-së kanë thënë se ka edhe forma tjera që mund të organizohen këto takime.
Pas debatit, me shumicë votash është vendosur që të pezullohet për një kohë mbajtja e këtyre takimeve me qytetarë, rrjedhimisht kjo Rregullore nuk do të miratohet edhe për një afat të pacaktuar.
Mos miratimin e saj e ka quajtur kryekëput politik drejtori i rrjetit të OJQ-ve “Demokracia Fillon Këtu”, Shemsi Jashari. Ky i fundit e ka fajësuar LDK-në, që sipas tij, po bllokon
“LDK nuk duan që të ketë një rregullore e cila i bënë të mundshme zgjedhjen e këshillave lokale, kjo pasi duan t’i ruajnë të emëruarit politikë të tanishëm, të cilët i kontrollojnë nga zyra dhe që nuk përfaqësojnë askënd”, ka thënë ai./Llapi.info
The post Pushteti në Podujevë akuzohet se po i mban militantët e LDK-së në këshillat e fshatrave, s’miratohet rregullorja për zgjedhjen e tyre appeared first on Llapi.info.