Është i ditur fakti që frutat dhe perimet i bëjnë mirë shëndetit, jo vetëm atij fizik por edhe atij mendor. Por një studim i kohëve të fundit i University of Warwick në Australi ka zbuluar se ngrënia e sa më shumë frutave dhe perimeve rrit nivelin e lumturisë, duke reduktuar mundësinë për t’u prekur nga kanceri ose për të pasur goditje në zemër.
Studimi i publikuar në revistën shkencore “American Journal of Public Health”, përfaqëson të parin e kësaj natyre që analizon në nivel shkencor, mirëqenien psikologjike të lidhur me konsumin e frutave dhe perimeve.
Për të arritur në këtë përfundim, siç shkruan “Noa.al”, studiuesit u kërkuan 12 385 personave që të shënonin në një ditar çdo ditë, sasinë e frutave dhe perimeve që konsumonin gjatë ditës, si dhe ndryshimet në nivel emocional.
Personat e përfshirë në studim u monitoruan gjatë viteve 2007, 2009 dhe 2013 në Australi. Të dhënat e mbledhura, sipas shkencëtarëve tregojnë se në harkun kohor të 24 muajve, niveli i lumturisë së pjesëmarrësve ishte rritur në proporcion me sasinë e frutave dhe perimeve që konsumonin, nga një deri në tetë porcione në ditë.
“Ngrënia e frutave dhe perimeve me sa duket stimulon lumturinë tonë më shpejt sesa përmirëson shëndetin. Kështu që shpeshtimi i tyre ka veçse dobi”, shprehet drejtuesi i studimit Andrew Oswald.
Me pak fjalë një dietë e pasur me fruta dhe perime jo vetëm përmirëson linjën trupore, redukton rrezikun për t’u prekur nga kanceri, por mbi të gjitha na bën më të lumtur.