“Demarkacioni i Kufirit sipas Murat Mehës, Mustafës, Thaçit dhe Hysenit është formulë e luftës. Unë jam kundër luftës. Unë jam kundër luftës me Malin e zi. Mos harroni që në vitin 1998 në Kosovë ka pasur luftë, por në Prishtinë ka mundur të mos ketë. E mbaj mend shumë mirë se në Prishtinë ka pasur paqe, por në Drenicë, Dukagjin e Llap ka pasur luftë. Kur po them luftë, nuk po them se lufta vjen në Prishtinë, ajo ndodh atje ku është kontesti kufitar e territorial. Unë mendoj që demarkacioni i Murat Mehës bën konfliktin, luftën dhe gjakderdhjet e reja me Malin e Zi”, kështu ka deklaruar deputeti Albin Kurti në një intervistë dhënë gazetës Zëri.
E deklaratat për një luftë të mundshme po i hedh poshtë analisti dhe publicisti Halil Matoshi. Në një prononcim për Gazeta e Re, Matoshi thotë se qëllimi i kësaj deklarate të Kurtit është t’i shkaktojë frikë pushtetit si dhe të mobilizojë njerëz për qëllimet e tij.
“Mos e merrni seriozisht, jo vetëm Albin Kurtin por secilin që shfaqet me retorika luftënxitëse të shekullit të kaluar, sepse as ai nuk e ka seriozisht. Ai po mësynë të shkaktojë frikë tek pushteti dhe të mobilizojë njerëz për kauzat e tij shpesh të paqarta, mirëpo ato thjeshtë janë retorika të forta dhe në thelb boshe”, thotë Matoshi duke shtuar se kontesti aktual rreth demarkacionit nuk do të ndikojë në fqinjësinë e mirë.
“Kurti duhet të ofrojë alternativa më të mira qeverisëse sepse nuk i ka rendet për luftë! Fundja cilën ushtri do ta aktivizonte ai në këtë rast? Kurti së pari duhet të angazhohet në Kuvendin e Kosovës ku është i zgjedhur deputet që Kosova të bëhet me ushtri dhe po ashtu të angazhohet pareshtur për paqe e mirëkuptim në rajonin tonë, i cili asnjëherë në histori nuk ka jetuar këso ditësh në paqe dhe stabilitet”, shprehet Matoshi.
Për nxitjen e konfliktit, Faton Topalli, deputet nga radhët e Vetëvendosjes, fajin ia vë qeverisjes aktuale të Kosovës duke thënë se qeveria është ajo që po nxit konflikt.
“Nëse dikush është i interesuar që çështja të ashpërsohet që të ketë konflikt edhe me banorët e zonës edhe me opozitën si tërësi, është vetë qeveria. Përkundër sinjaleve nga Mali i Zi për ta diskutuar çështjen e demarkacionit, është pikërisht Qeveria e Kosovës ajo e cila po dëshiron ta mbaj gjendjen të tendosur duke mos u tërhequr nga kjo marrëveshje për t’ia lënë thjesht një arbitrazhi ndërkombëtar i cili do të përcaktonte pastaj kufirin mes dy vendeve” , thotë Topalli duke shtuar se një vendim i tillë për ta do të ishte logjik dhe do të pranohej.
Tutje, Topalli thekson se demarkacioni i prezantuar nga Komisioni Qeveritar mund të shkaktojë probleme të rënda për shkak se banorët e zonës kufitare janë deklaruar që do ta kundërshtojnë këtë demarkacion në të gjitha format e mundshme.
Shikuar nga këndi i ekspertit të sigurisë, mundësia për luftë mes dy shteteve është minimale. Kështu vlerëson Avni Islami, i cili thotë se megjithatë, nuk përjashtohen mundësitë për incidente të izoluara.
“Deklarata e Presidentit Gjukanoviq se nuk jemi të interesuar për territor të Kosovës dhe se ne jemi për zgjidhje e pranueshme për të dyja palët , e ka ulur rrezikun deri në minimum për incidente në atë zonë. Unë nuk i komentoi deklaratat e politikanëve e as të Albin Kurtit, por unë mendoi se ideja që të shkaktohet luftë nuk ekziston. Duhet të theksohet se në të dyja anët e kufirit janë trupat e NATO – os , do të thosha se mundësia për luftë mes dy shteteve është minimale por duke mos i përjashtuar incidente sporadike që do të mund të ishin të izoluara”, përfundon eksperti i sigurisë, Islami./gazetaere.com/