Presidenti amerikan Barack Obama ka bërë histori këtë të martë duke emëruar myslimanin e parë Abid Qureshi, si gjykatës federal.
“Jam i lumtur të emëroj zotin Qureshi që të shërbej në Gjykatën e Rrethit të Shteteve të Bashkuara. Dhe jam i bindur se ai do t’i shërbejë popullit amerikan me integritet dhe angazhim të palëkundur në drejtësi,” ka thënë Obama në një deklaratë për shtyp.
Emërimi i Qureshit në Gjykatën e Rrethit në Kolumbi nuk ishte menduar aspak, kur Obamës i kanë mbetur edhe pak kohë si president.
Por emërimi i tij mbart një vlerë historike pasi vjen në mesin e fushatës presidenciale, kur kandidati republikan Donald Trump ka thënë se një gjyqtar federal mysliman nuk do ta trajtojë atë në mënyrë të drejtë për shkak të thirrjeve të tij për ndalimin e myslimanëve në Amerikë.
Trump po ashtu ka bërë akuza të ngjashme ndaj gjyqtarëve federal latin, pasi ai ka apeluar për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.
“Përgëzoj presidentin Obama për këtë hap të rëndësishëm, për të marrë më të mirët dhe më të zgjuarit nga çdo komunitet që t’i shërbejnë gjyqësorit në vendin tonë,” është shprehur Farhana Khera, drejtori ekzekutiv i avokatëve myslimanë.