Islanda e Hungaria kanë bërë dy prej befasive më të mëdha në ndeshjet e xhiros së parë të fazës grupore në “Euro 2016″.
Islanda ndali në barazim 1:1 Portugalinë me një paraqitje që hidhëroi Cristiano Ronaldon, derisa Hungaria fitoi 2:0 ndaj Austrisë që aktualisht është e dhjeta në ranglistën e FIFA-s.
Për Hungarinë që po bën paraqitjen e parë në ngjarje të mëdha pas 30 vjetësh, ishte një fitore që ia ka vlejtur të pritet. Ky ishte rast edhe për sulmuesin Adam Szalai, goli i të cilit në ndeshjen me Austrinë ishte i pari në 41 ndeshjet e fundit për klubin dhe vendin.
Ai nuk kishte realizuar që nga dhjetori i vitit 2014, kur realizoi në ndeshje të Bundesligës gjermane për Hoffenheimin. Ishte po ashtu goli i parë i Hungarisë në kampionate evropiane që nga paraqitja e fundit e saj, në vitin 1972, transmeton Koha Ditore.
Derisa Hungaria po mundohet të kthejë shkëlqimin e dikurshëm, për Islandën ky është territor i panjohur. Reagimet pas barazimit inspirues të Islandës me Portugalinë mbetën në hije të vërejtjeve jo shumë të pëlqyera të Ronaldos. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).