Një 42-vjeçar nga Kosova është vrarë rreth orës 5 të mëngjesit në rrugën Webergasse në qytetin e St. Gallen në Zvicër.
Policia ka njoftuar se viktima ka qenë duke ecur nga rruga Webergasse në drejtim të rrugës Multergasse, ku në udhëkryq viktima është përballur me dorasin.
Sipas policisë, vrasësi ka shkrepur së paku një plumb në drejtim të viktimës, por me gjithë ndërhyrjen e shpejtë të ndihmës së parë nga mjeku emergjent, 42-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë. Po ashtu njoftohet se viktima ishte pa adresë të rregullt në Zvicër.
“I ndjeri mbante pantallona pune me ngjyrë hiri, një pulovër të kuq, këpuca pune dhe një ombrellë të hapur me ngjyrë të kaltër. E vrasësi është 40 deri 50-vjeçar, trupngjeshur”, thuhet në njoftim .
Policia kantonale dhe e qytetit ka nisur një kërkim të madh dhe lut qytetarët të njoftojnë për çdo dyshim.
Inicialet e viktimës janë H.S. i lindur në fshatin S. të Kamenicës me banim në Gjilan.
Motivi i vrasjes dyshohet të ketë qenë një ngatërresë e hershme familjare që ka të bëjë me një borxh nga jashtë por që nuk ka pasur të bëjë drejtpërdrejt me të.