E pranishme në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin përsëriti apelin për miratimin e reformës në drejtësi, duke theksuar se BE-ja nuk do të lodhet dhe nuk do të humbasë durimin, por s’mund të bëjë atë që duhet të bëjë klasa politike shqiptare.
Sipas ambasadores Vlahutin, reforma në drejtësi është çelësi për hapjen e negociatave, ndërsa Shqipëria ka humbur shumë shanse për integrimin.
“Shpresoj që reforma në drejtësi të miratohet së shpejti, pasi me anën e miratimit të reformës dhe me një historik të zbatimit të saj, Shqipëria ka një mundësi për të çeljen e negociatave me BE. Keni humbur shumë shanse.
Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, jemi me të vërtetë të interesuar për Shqipërinë. Nuk do të heqim dorë, nuk do të lodhemi, nuk do të humbasim durimin, por nuk mund ta bëjmë ne këtë që duhet të bëni ju.”- deklaroi Vlahutin.
Ambasadorja e BE-së theksoi se “fëmijët tuaj në fakt kanë nevojë që ju të merrni vendime të guximshme, kurajoze, vendime të qarta të cilat ta çojnë vendin tuaj aty ku duhet të jetë”.
“Procesi i anëtarësimit në BE është një proces politik, por ka çaste kur duhet të largoheni nga vendimet politike.
Suksesi i saj ka të bëjë me politikat e shëndetshme, reformat e thella të cilat disa prej tyre nuk kanë të bëjnë me pjesën politike. Për politikat e shëndetshëm duhen dije, njohuri, dialog. Ka një dallim shumë të madh mes politikave dhe politikës.
Për çështjen e politikave kërkohet një angazhim afatgjatë i të gjithë segmenteve të shoqërisë. Dialogu është thelbësor.”- deklaroi ambasadorja Vlahutin.