Ligjvënësit kanë nisur punën për të hartuar ndryshimet në ligjin elektoral, pas një muaji nga ngritja dhe miratimi i përbërjes së komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore
Të hënën, në orën 9:30, PD, PS, LSI dhe PDIU hedhin hapin e parë për finalizimin e një reforme, tradicionalisht konsensuale. Partitë kryesore politike i kanë paralajmëruar ndryshimet që kërkojnë në ligjin zgjedhor.
Partia Socialiste, kërkon depolitizim të komisioneve zgjedhore, PD heqjen të donacioneve të fushatave zgjedhore dhe financim të tyre përmes taksave. Të dyja partitë, janë deklaruar pro heqjes së reklamave për fushatë, duke i cilësuar si shpenzim të panevojshëm.
LSI është e vetmja forcë deri më tani, që përmes kryetarit Ilir Meta ka kërkuar ndryshim në listat zgjedhore, duke propozuar lista të hapura, sipas të cilave partitë kanë të drejtë të bëjnë renditje paraprake dhe qytetarët të zgjedhin mes tyre.
Ajo çfarë i bashkon të gjitha partitë, është implementimi i plotë i raportit të fundit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, i cili vërente si problem serioz, shitblerjen e votës.
E gjithë puna e komisionit të reformës zgjedhore, do të mbikëqyret nga faktori ndërkombëtar që ka kërkuar reformë të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse, si kusht për përparimin e Shqipërisë për rrugën integruese.
Deri më tani, krerët e shumicës, kanë dhënë garancinë e konsensusit.
Por, krydemokrati Lulzim Basha, ka një tjetër kusht; qeveri teknike.
A do të lëvizin palët nga qëndrimet e tyre? E hëna, mund të jetë një tregues i parë.