Trokitja në dyert e institucioneve të Kosovës në kërkim të ndihmës, për të është bërë rutinë javore. Atë vazhdon ta mbajë shpresa se do t’i bëhet një zgjidhje afatgjate djalit të saj të sëmurë. Për nënën Xhylie Berisha, shërimi i djalit të saj Mërgimit, është motivi i vetëm që e bënë të nis dhe mbyll ditët. Ajo gati çdo ditë bënë rrugën e njëjtë, vetëm për ta mundur dhimbjen qa tash e 22 vjet po e ndan së bashku me djalin e saj.
Varfëria dhe sëmundja psikike e bashkëshortit për Xhylien mund të përballohen disi, por ajo që ia rëndon vuajtjen është sëmundja e epilepsisë që Mërgimi ka trashëguar që nga lindja, transmeton kosovapress.
Ajo rrëfen se si sëmundja me të cilën po përballet djali i saj, çdo ditë e më shumë po përparon, duke ja shtuar edhe më shumë vuajtjet Mërgimit dhe familjes së tij. Ashtu si po bëhet djali, ajo nuk mund ta shoh, për këtë arsye gati çdo ditë ajo troket dyerve të institucioneve shëndetësorë në Prishtinë, në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në Gjykatë Themelore.
Xhylia tregon se gjatë një muaji është e detyruar që të paguaj mbi 200 euro medikamente për djalin e saj, e këtë shumë nuk po ka mundësi që më ta përballojë për shkak të gjendjes së rëndë financiare. Ajo tha se këto shërbime tash po ja paguajnë disa njerëz të cilët janë treguar me të vërtet bujar me familjen e saj.
Tek Gjykata Themelore atë mund ta shohësh shumë shpesh gjatë ditës, rri aty dhe pret mos po del dikush për ti dhënë ndonjë lajm të mirë. Edhe rrëfimin e bëri para dyerve të Gjykatës, ngase të vështirë e ka edhe qëndrimin në shtëpi prej gjendjes së rëndë të bashkëshortit të saj.
Me lotët që nuk i ndalen, Xhylia tregon për se institucionet më të larta të vendit i kanë dhënë deri sot vetëm zhgënjim. Ajo akuzon zyrtarë të Ministrisë së Mirëqenies Sociale për mosdhënien e një pensioni shëndetësor për djalin e saj, i cili sadopak do të ia lehtësonte gjendjen familjare. Thotë se është e gatshme që të sakrifikoj gjymtyrët e saja, vetëm që të gjendet një zgjidhje për Mërgimin.
Në lidhje me këto akuza që nëna e Mërgim Berishës i drejton zyrtarëve të MPMS, e pati të pamundur të marri përgjigje nga kjo ministri, për shkak se zyrtarët e saj nuk gjetën kohë për të pritur gazetarët gjatë gjithë javës.
Ndërsa sa i përket ndihmës së kërkuar në Gjykatën Themelore nga Xhylie Berisha, kryetari i kësaj Gjykatës, Hamdi Ibrahimi tha për KosovaPress se Gjykata të cilën ai e drejton në vitin e kaluar ka pranuar shumë lëndë nga palët paditëse ku e paditur rezulton të jetë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për shkak se shumë vendime në vitin 2014 dhe 2015 janë marrë nga kjo ministri që personave që deri atëherë kanë qenë shfrytëzues të skemave përkatëse të ndihmave u është refuzuar kjo e drejtë.
Ibrahimi tha se zgjidhja e një çështje të tillë merr kohë për shkak të numrit të madh të lëndëve dhe për këtë sipas tij nuk mund të definohet koha se kur mund të merret një vendim edhe për lëndën e Xhylie Berishës.
“Ne nuk mund t’i dalim në ndihmë shpejtë. Ka lëndë shumë. Nuk ka shans që lënda që ka ardhur në gjysmë e vitit të kaluar, viti 2015, sikur tash që është rasti me zonjën Berisha, të vendoset brenda dy – tre muajve që vj en lënda në punë, sepse janë me mijëra lëndë që janë në punë para kësaj lënde. Prandaj arsyeja pse është gjendja kjo, pse është vonuar rasti, është ky dhe nuk është e vërtetë që asnjë individi që vjen te unë t’i kem thënë se kjo do të kryhet brenda kësaj kohe. Unë mund t’i them se merret në punë brenda vitit 2016 kalendarikdhe sigurisht se kështu i kam thënë, duke llogaritur gjendjen në të cilën ekam parë se janë dhe kemi shumë këso raste”, tha kryetari Ibrahimi.
Ai kërkoj nga MPMS që të gjendet një zgjidhje për numrin e madh të personave të cilët janë të pakënaqur me mos përfshirjen në skemat sociale që ka kjo ministri, derisa në anën tjetër ngrit dyshimin për vërtetësinë e rasteve të tilla si ai i Xhylie Berishës me djalin e saj Mërgimin.
Ibrahimi theksoi se shpreson se ministria me komisionet përkatëse sipas tij me seriozitet me kompetencë dhe më një përkushtim më të madh do t’i merr dhe do t’i trajtojë këto çështje, ngase ka shumë raste të personave që janë me nevoja nga më të ndryshmet që kërkojnë ndihmë në Gjykatën Themelore.