Janë shënuar sot në kalendarin kombëtar 117 vjet nga Kuvendi i Lidhjes së Pejës “Besa Besë”, udhëheqës i së cilës ishte atdhetari i njohur Haxhi Zeka. Përveç që ngjarja është rikujtuar nga mediat, komuna e Pejës nuk ka organizuar asnjë manifestim e aktivitet në shënim të kësaj date me rëndësi.
Për më keq edhe mulliri i Haxhi Zekës si aset i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore që ndodhet në këtë qytet, sot ka qenë i mbyllur me dry. Këtë fakt e vërtetojnë edhe disa foto të realizuara sot nga një delegacion i Lëvizjes “Vetëvendosje”, të cilët kishin planifikuar një vizitë në ambientet e këtij objekti, përcjell ksp.
Aktivistë të këtij subjekti kanë shprehur keqardhjen për këtë moskujdes të institucioneve ndaj kësaj date të rëndësishme si dhe zhgënjimin për faktin se portat e mullirit ishin të mbyllura me dry. Ata kanë akuzuar me këtë rast për moskujdes dhe injorancë kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxherin dhe drejtorin e kulturës Engelbert Zefajn.
Arton Muhaxheri nga VV e Pejës, ka kritikuar kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe drejtorin e kulturës Engelbert Zefajn, derisa ka shtruar pyetjen publike për qeverinë komunale; “Të nderuar pushtetarë, a e dini ju se sot Peja shënon një përvjetor të rëndësishëm?”.
Rindërtimi i Mullirit të Haxhi Zekës (Mulliri i parë në Kosovë dhe rajon i cili ka pasur një teknologji më të përparuar të sjellë nga Austria) u përurua ditë më parë me financim nga Bashkimi Evropian në bashkëpunim me pushtetin komunal të Pejës. Në ditën kur u përurua ky objekt mori pjesë edhe vet shefi i zyrës së komisionit Europian, Christof Stock, e ku kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri pati dhënë fjalë të mëdha se ky objekt do të jetë në shfrytëzim të zhvillimit turistik e ekonomik të Pejës. Mulliri i Haxhi Zekës në Pejë administrohet nga komuna e Pejës, ku drejtpërdrejt janë të angazhuar punonjës të drejtoratit për kulturë, rini e sport.
Ndryshe, në vitin 1899 të datës së sotme (23 Janar) nën kërcënime të reja për tokat shqiptare në Pejë u mblodh një Kuvend me 500 pjesëmarrës nga vilajetet e Kosovës dhe nga ata të Manastirit dhe të Janinës ku zuri fill Lidhja e Pejës ose siç u quajt ndryshe “Besa-Besë”.
Kuvendi u organizua, u drejtua, dhe zgjodhi kryetar atdhetarin dhe patriotin Haxhi Zeka.