Quantcast
Channel: Llapi.info
Viewing all articles
Browse latest Browse all 35758

Teatri Kombëtar edhe zyrtarisht bëhet me drejtor

$
0
0

Edhe zyrtarisht Teatri Kombëtar i Kosovës bëhet me zot shtëpie.

Pas më shumë se 10 muajsh udhëheqjeje nga ushtruesja e detyrës së drejtorit, Lumnije Sopi, raporton emisioni Express në KTV. Pranim dorëzimi i detyrës u bë paraditen e së enjtes në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Me këtë rast, Agim Sopi, drejtori i ri i teatrit u shpreh se e ka ndjerë obligim që të kontribuoj edhe ai në shtetbërjen e Kosovës. Kjo sipas tij ka qenë arsyeja kryesore që ka marrë përsipër këtë pozitë.

“Sot është 21 janari, 10 vjetori i vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, njeriut ma të madh që i ka dhënë Kosova dhe aksidentalisht kjo datë më tingëllon si një lloj amaneti që të përpiqem të vejë një gurë të vogël në projektin tonë të madh të quajtur shteti i Kosovës. Teatri Kombëtar gjithkund në botë është pasqyrë elitare e shtetit dhe unë do të përpiqem që këtij teatri të ia kthej fizionominë, ti krijoi një identitet, të ia kthej seriozitetin dhe profesionalizmin”.

Sopi më tej u shpreh se e ka të qartë që sfida të mëdha e presin para vetes gjatë mandatit 4 vjeçar.

“Është një ligj jo i mirë i teatrit që na obligon, megjithatë deri sa është ai ligj, unë do të këmbëngul të respektohet ai ligj, do te bëjë përpjekje që ta ndryshojmë për të mirë por derisa është në fuqi, jam në logjik konstitucionaliste dhe do ta respektoj pikë për pikë e germë për germë atë ligj. Ai ligj krijon ndërvarshmëri zingjirore të kompetencave në këtë teatër por do të përpiqemi ti sqarojmë, do të përpiqem ta imponoj autoritetin tim për të krijuar një fizionomi për këtë institucion”.

Ndërsa sa i përket buxhetit prej 340.000 eurosh që Ministria e Kulturës i ka ndarë këtij institucioni kulturor, Sopi u shpreh se do të bëjnë përpjekje të funksionojnë më aq sa iu është dhënë edhe përkundër që sivjet i kanë dy data të rëndësishme për t’i shënuar.

“Unë kam ardhur pak me vonesë, buxheti është ai që është aprovuar. Ne kemi dy përvjetor të rëndësishëm këtë vit, 70 vjetori i Teatrit, pastaj është 50 vjetori i dramës së parë moderne dhe karshi këtyre dy përvjetorëve do të përpiqemi ta krijojmë edhe fizionomin repertoreske te teatrit, që para se gjithash do të mbështetet në dramën kombëtare dhe do te përpiqemi që brenda mundësive buxhetore ti ndajmë apo shkapërderdhim buxhetin në mënyrë te balancuar që prapë të mos e dëmtojmë një vizion të një projekti ambicioz”.

Në anën tjetër, ish ushtruesja e detyrës së drejtorit të përgjithshëm, Lumnije Sopi, tha se ka qenë një vit sfidues koha sa ajo ka qenë në krye të TKK-së.

“Ka qenë një vit jo i lehtë, kemi hy me borxhe e gjëra të tjera, por ja kemi dal. Uroj për Agimin që të jetë një vit i suksesshëm, nuk është e lehtë, por të paktën duhet provuar”, ka thënë ajo.
Ajo u shpreh po ashtu se si fillim, në këtë pozitë pati ardhur me shpresën se brenda një periudhe të shkurtër do të zgjidheshin gjërat dhe që asnjëherë se ka imagjinuar se si ushtruese e detyrës së drejtorit të përgjithshëm në TKK do t’i binte hise të qëndronte hiq më pak se 10 muaj.

“Po gjithherë në pritje, edhe 1 muaj, edhe 1 muaj, te ne kemi kohe me tepri, ndoshta kështu ka qenë e shkruar, por dikur fillon njeriu e ambientohet. Bile me më pas thënë rri krejt, kisha vazhduar pa ndonjë problem, se nuk kish qenë e vështirë sa e kom marr në fillim”.

E pozitën e drejtorit Lumnije Sopi e la në duar të sigurta, të bashkëshortit të saj. Pavarësisht kësaj, ajo u shpreh se brenda TKK-së, gjithçka qëndron brenda kornizës profesionale dhe kolegjiale.

“Po ngaqë Agimin në teatër e konsideroj si regjisor dhe artist, krijues, mendoj se e ka vendin e duhur dhe këtu ku jemi e trajtoj si bashkëpunëtor, krijues qe ka dhënë shumë për teatrit dhe besoj që ka me dhënë dhe ma tepër për me ja rikthye teatrit reputacionin dhe fizionominë e vërtet qe i duhet dhe e ka pas para luftës”.

Teatri Kombëtar i Kosovës, pa drejtor të përgjithshëm mbeti të fund të muajit shkurt të 2015-ës, pas shkarkimit të Valdet Avdiut nga kjo pozitë. U hapën e rihapën disa konkurse, pati anulime e pakënaqësi, derisa u vendos se kujt do t’i besohej udhëheqja e këtij institucioni kulturor.

Regjisori Agim Sopi u zgjodh i pari i Teatrit Kombëtar, pasi anëtarët e Këshillit Drejtues të TKK-së, përfaqësues të MKRS-së dhe ata të Këshillit për Shërbyes Civil kanë intervistuar katër kandidatët për këtë post. Pos Sopit, vullnet për të qenë drejtues të Teatrit Kombëtar patën shprehur edhe Erson Zymberi, Selatin Ademi dhe Fisnik Ademi, ndërkohë dramaturgu Naser Shatrolli dhe Shkëlzen Berisha ishin larguar nga kjo garë.

Sipas platformës së Sopit, TKK-ja do të duhej të kultivonte vlerat e verifikuara të dramaturgjisë kombëtare dhe asaj botërore. Sipas Sopit, prioritet duhet t’i jepet dramës origjinale dhe duhet të shqyrtohen dhe ekzaminohen të gjitha tekstet dramatike të traditës, nisur nga Fan Noli, Gjergj Fishta, Anton Pashku, Teki Dervishi e deri te gjenerata e re e dramaturgëve shqiptarë.

Ai po ashtu parasheh që të shtohet numri i aktorëve dhe të angazhohen personalitete që janë pensionuar. Ka paraqitur edhe idenë e angazhimit të regjisorëve eminentë të Evropës dhe shfaqjen e dramave të TKK-së nëpër vendet evropiane. Kthimi i publikut, pjesëmarrja në festivale ndërkombëtare janë po ashtu pjesë e platformës së Agim Sopit.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 35758


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>