Paralajmërimet e LSDM-së për ekzistimin e mundësisë për rifillimin e publikimit të “bombave” janë e drejtë legjitime në momentin aktual politik, por njëkohësisht ky hap do të shënoj dështimin përfundimtar të procesit në Përzhino
Këto janë komentet e gazetarëve Katerina Blazhevska dhe Xhelal Nezirit, pasi opozita njoftoi se nuk përjashtohen masat radikale për shkak se pushteti nuk po i përmbahet Marrëveshjes së Qershorit.
“Bombat, i mundësojnë opozitës të zhvillojë betejë për demaskimin e politikave të pushtetit, të tregohet ana më e shëmtuar e asaj që do të thotë keqpërdorim i pushtetit.
Nëse marrëveshja e Përzhinos dështon, tani më është irelevante se çfarë masash do të ndërmarrë opozita. A do të publikohen “ bombat”, a do të tentoj pushteti t’i ndaloj sepse faktikisht e ardhmja e Maqedonisë do të vihet në pikëpyetje. Nuk do ti ndihmojë askujt asgjë që nuk është në drejtim të tejkalimit të krizës politike”, tha Katerina Bllazhevska, gazetare.
Bllazhevska dhe Neziri konsiderojnë se pala e vetme që mundë ta zhbllokoj procesin është faktori ndërkombëtar. Neziri është i bindur se duhet të bëhet presion më i madh ndaj pushtetit. Qëndrim të ngjashëm ka edhe Bllazhevska, por me rezervë për rreziqet nga ky skenar.
“Për fat të keq për shkak të mungesës së vullnetit politik tek një pjesë e pushtetit, konkretisht VMRO-DPMNE-ja, jo sipas vlerësimit tim por sipas vlerësimit të ndërmjetësve në këto bisedime, konsideroj se këtu nuk ka shpresë të madhe se do të ketë nismë për ngjalljen e marrëveshjes, përkatësisht zbatimin e saj deri në fund.
Mendoj se nisma për këtë sikur në shumë raste të tjera do të vijë nga bashkësia ndërkombëtarë. Kjo sa është e mirë është po aq edhe e keqe, sepse Maqedonia edhe një herë do të dëshmojë se nuk ka kapacitet e as lidership që t’i zgjidh vet problemet”, tha Katerina Bllazhevska, gazetare.
Ditëve të fundit opozita paralajmëroi se po shqyrton mundësinë e vazhdimit të “bombave”, ndërsa pushteti dërgoi mesazh pakënaqësie ndaj rolit të ndërkombëtarëve në proceset politike të vendit.
Faktori ndërkombëtar, ndërkohë përcolli mesazhin se në ditët e ardhshme do të jap përgjigjen për epilogun e marrëveshjes së Përzhinos./ Alsat-M/