Dy ditë pasi Prokuroria e Prizrenit doli me një raport, ku konstatonte se Astrit Dehari ishte vetëvrarë, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar një hetim të pavarur.
Kjo ministri i është drejtuar Ambasadës Britanike, që ky shtet të hetojë vdekjen e Deharit, raporton KTV.
Megjithatë, kërkesa zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë, e bërë në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, drejtuar Ambasadës Britanike në Prishtinë, ende nuk ka marrë një përgjigje nga ambasadori.
Zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë, Orhan Hajrizi, ka konfirmuar se gjatë ditëve në vazhdim, pritet që së bashku me ambasadorin britanik të diskutohet ky rast.
Mirëpo, kjo kërkesë e Ministrisë së Drejtësisë, nga avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, po konsiderohet si shumë e vonuar.
KTV-ja ka kontaktuar edhe me prokurorin e rastit, Metush Biraj i cili shkurt ka thënë se nuk ka asgjë kundër kësaj kërkese, duke konsideruar se ai punën e tij e ka kryer si duhet në këtë rast.