Në Gjykatën Kushtetuese sërish pritet të shkojnë deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës.
Ata , të grumbulluar në Lista serbe, transmeton Koha.net, për nesër kanë paraparë që në këtë Gjykatë të dërgojnë për vlerësim Ligjin për investime strategjike të miratuar në javën e shkuar.
Siç njofton gazeta serbe “Veçernje Novosti”, deputetët e Listës Serbe, këtë ligj e mendojnë të dëmshëm për qytetarët serbë të Kosovës.
Sipas fjalëve të Slavko Simiqit, kryetar i Listës, Ligji u jep të drejtë institucioneve të Kosovës që pa pëlqim të disponojnë me pasurinë e Serbisë, Kishës ortodokse serbe si dhe me pasurinë e ndërmarrjeve që kanë investuar në këto pasuri.
“Dëshirojmë që te çështja e pasurisë të respektohen normat ligjore dhe statusi juridik, që në këtë rast, sikur dhe te Ligji për Trepçën, nuk mund të thuhet”, ka thënë Simiq i cili, ka shtuar se pret vlerësim profesional e të paanshëm.