Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq ka thënë se Serbia nuk guxon t’u bëjë lëshime shqiptarëve të Kosovës as kur është fjala për dorëzimin e Trepçës, as kur është fjala për Telekomin, se “diku duhet të ketë kufij”.
“Kjo që po bëjnë shqiptarët në Kosovë me Trepçën dhe Telekomin është grabitje, uzurpim dhe këtë nuk mund ta pranojmë”, i ka thënë Nikoliq Blicit të Beogradit, transmeton Koha.net.
Nikoliq thotë se tashmë është prekur vija e kuqe, për çka pushtetit në Prishtinë, por edhe Bashkimit Europian, duhet t’i dërgohet mesazh i qartë.
“Tashmë aq shumë u kemi bërë lëshime shqiptarëve në Kosovë. Diku duhet të vihet kufiri. Prandaj nuk guxojmë të bëjmë lëshime as kur bëhet fjalë për dorëzimin e Trepçës, as kur është fjala për pasurinë e Telekomit”, është shprehur Nikoliq.
Presidenti i Serbisë ka thënë se Serbia nuk duhet të pranojë kushtëzime “nëse Brukseli njëmend i shtron si kusht për vazhdimin e negociatave”, citohet të ketë thënë Nikoliq.