Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, e ka kundërshtuar fuqishëm Ligjin për Trepçën, që u votua orët e para të së shtunës nga Parlamenti i Kosovës.
Serbi madje e ka sfiduar kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, që nuk do të guxojë asnjëherë ta vizitojë pjesën veriore të Trepçës.
Por, këtë kundërshtim të Gjuriq, nga Qeveria e Kosovës po e vlerësojnë si të dëmshëm dhe të panevojshëm.
“Kundërshtimi i tij jo vetëm që është i panevojshëm, por ai do te ishte i dëmshëm ne rënd të parë për komunitetin serb, i cili përfiton nga ky ligj për të tashmen dhe të ardhmen e tij”, ka thënë për klankosova, zëdhënësi i Qeverisë dhe këshilltari i Mustafës, Faton Abdullahu.
Ai tha se Ligji i ri duhet të shoshitet brenda logjikës ekonomike e jo ndasive shtetërore.
“Ne konsiderojmë se ky ligj për Trepçën duhet të vlerësohet me logjikën e prosperiteti social dhe zhvillimit ekonomik si dhe forcimit të koekzistencës etnike dhe shtetërore të Kosovës e jo të ngurtësisë averzive ndaj institucioneve tona”.
Madje, sipas Abdullahut, “ky ligj është në përputhje të plotë me ligjet, por edhe parimet mbi të cilat është ndërtuar vendi ynë dhe mbi parimet të cilat janë shtylla të raporteve tona me vlerat integruese evropiane”.
Sot gjatë tërë ditës ka pasur regime nga Serbia kundër Ligjit për Trepçën që Qeveinë e Kosovës e bën pronar të 80 përqind të aksioneve të ndërrmarrjes, ndërsa 20 për qind të tjera ju takojnë punëtorëve.
Agresivë në kundërshtim janë treguar edhe nga Lista Serbe. Madje ministri Ljubomir Mariq ka deklaruar se e kanë ndërmend ta shqyrtojnë edhe një herë pozicionin e tyre brenda koalicionit qeveritar.