Doganës së Kosovës sot iu ka anuluar tenderi për dhënie të kontratës një kompanie të sigurimeve për sigurimin e automjeteve të Doganës së Kosovës. Ky anulim është bërë nga ana Organit Shqyrtues të Prokurimit, ku ka gjetur disa shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik nga Dogana.
OSHP në këtë rast ka kërkuar që kjo Iëndë e prokurimit të kthehet në ritenderim, nëse edhe më tutje ka interes Dogana për këtë aktivitet të prokurimit.
Operatori ekonomik ankues, si palë e pa kënaqur, ka deponuar ankesë lidhur me aktivitetin e prokurimit “Sigurimi i automjeteve të doganës së Kosovës”, të zhvilluar nga Autoriteti Kontraktues (AK) Dogana e Kosovës duke pretenduar se autoriteti kontraktues, lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, ka bërë shkelje të këtyre dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik(LPP): Neni 7 i LPP-së barazia në trajtim/ Jo-Diskriminimi, neni 59 i LPP-së- ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve dhe kriteret për dhënien e kontratës.
Pas kësaj ankese, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka autorizuar ekspertin shqyrtues për ta shqyrtuar vlefshmërinë e të gjitha pretendimeve të palës ankimore, ku eksperti shqyrtues i ka dorëzuar panelit shqyrtues raportin me shkrim, duke rekomanduar panelin shqyrtues që të anuloj vendimin e Autoritetit Kontraktues për dhënie të kontratës si të pa bazuar dhe të aprovohet ankesa e operatorit ekonomik ankues.
Autoriteti Kontraktues në këtë rast Dogana, përmes parashtresës me shkrim ka njoftuar panelin shqyrtues se nuk pajtohet në tërësi me raportin e ekspertit shqyrtues.