Anëtarë të Komisionit për zhvillim ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të prirë nga kryetari Muhamet Mustafa, vizituan sot ndërmarrjen publike “Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut” ( KOSTT).
Me këtë rast, ata u pritën nga Drita Kongjeli, kryesuese e Bordit, si dhe Mustafë Hasani, kryesues i Bordit ekzekutiv me bashkëpunëtorët e tij.
Kongjeli i falënderoi anëtarët e Komisionit për vizitën dhe i njoftoi ata se kjo ndërmarrje është ndër më të suksesshmet në vend.
Më pas, kryesuesi i Bordit ekzekutiv Hasani, prezantoi aktivitet dhe gjendjes në të cilën gjendet kjo ndërmarrje.
“Funksioni kryesor i ndërmarrjes është operimi, mirëmbajtja dhe zhvillimi i sistemit të transmisionit” tha Hasani. Ndër zhvillimet dhe aktivitetet me rëndësi ai përmendi ndërtimin e linjës interkonektive me Shqipërinë, ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve transmetuese dhe investimet në rrjetin e transmisionit, bashkëpunimin e ngushtë rajonal edhe me vendet e tjera eurokontinentale. Ai i njoftoi anëtarët e Komisionit edhe me Planin e investimeve për pesë vitet e ardhshme.
Nga ana, tjetër kryetari i Komisionit Muhamet Mustafa, falënderoi përfaqësuesit e KOSTT-it për pritjen, duke shtuar se kjo ndërmarrje është mjaft e rëndësishme, duke nënvizuar se nga efikasiteti i saj varet edhe stabiliteti energjetik në vend dhe kostoja e energjisë elektrike, transmeton Klan Kosova.