Në selinë e Lëvizjes në Tetovë, përgjegjësi për punë juridike z. Alil Fetai ka mbajtur sot një konferencë për media, me anë të së cilës njoftoi gazetarët me procesin e regjistrimit të Lëvizjes
Tekstin e plotë të konferencës për media e paraqesim në vazhdim:
Njoftojmë opinionin publik se sot Lëvizja për reforma PDSH pret vendimin e Gjykatës themelore në Tetovë lidhur me rregjistrimin e partisë. Gjatë gjithë kohës që kemi mbledhur dokumentacionin e nevojshëm për rregjistrim, kemi qenë të shantazuar në lidhje me kushtet që duhet ti plotësojmë për rregjistrim.
Konsiderojmë që nuk jemi subjekti i vetëm që rregjistrohemi në Maqedoni që të hasim në kaq shumë pengesa. Përpara nesh janë rregjistruar edhe qindra subjekte të tjera.
Edhe pse kemi mbledhur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për rregjistrim, në korridoret e kësaj Gjykate në vazhdimësi na është bërë e ditur që nuk mund ta rregjistrojmë këtë parti, sepse qenka e “rrezikshme” dhe lufton kundër këtij sistemi.
Dita e sotshme do të sprovojë demokracinë dhe funksionimin e Gjyqësisë në Maqedoni. Epilogu do të dëshmojë se a funksionojnë Gjykatat në mënyrë të pavarur apo janë nën shërbim të pushtetit dhe të politikanëve të shitur që shpresat për mbijetesë politike i kanë drejtuar tek telefonatat dhe shantazhet ndaj gjykatësve.