Quantcast
Channel: Llapi.info
Viewing all articles
Browse latest Browse all 35758

Kosovë: Çantat e rënda të fëmijëve ua rrezikojnë shëndetin

$
0
0

Pamjet e fëmijëve me çanta më të mëdha se vet ata nëpër rrugët e tona, janë fotografi të zakonshme, pothuajse. Ky problem, del me qenë shqetësues për prindërit, mësuesit dhe ekspertët e arsimit.

Disa nga alternativat kryesore vlerësohet të jenë  rishikimi i kurrikulës së plan-programit mësimor si dhe krijimi i një infrastrukture më të mirë shkollore që ua mundëson nxënësve lënien e librave në shkollë.

Sipas mësimdhënësit të shkollës së mesme të ulët “Elena Gjika”, Zymer Cakolli,  ky është një problem shqetësues dhe alarmant për shoqërinë. “Sipas hulumtimit tim që e kam bërë me nxënësit,  ky problem është shqetësues sepse po krijojmë shoqëri që kanë probleme me boshtin kurrizor prandaj edhe shqetësimet e prindërve jo që janë të arsyeshme por janë alarmante”, thotë Cakolli për Gazetën e Re.
Nga hulumtimi që ka bërë ky mësimdhënës, del që  çantat e nxënësve të shkollave fillore janë më të rënda se pesha e lejuar për fëmijët e kësaj moshe.Hulumtimi tregon që një nxënës i klasës së parë me peshën trupore mesatarisht 23 kilogramë, bartë një çantë me peshë mesatare prej 4.170 kilogramë.  Pesha më e lehtë që bartin nxënësit është 2.300 kilogramë, ndërsa më e rënda është  5.200 kilogramë, e që jo shpeshherë i tejkalojnë edhe këto shifra. Dallimi ndërmjet peshës së çantës të nxënësve të klasës së parë me ata të klasës së pestë, sipas hulumtimit, është vetëm 100 gramë më e rëndë në peshë çanta e nxënësit të klasës së pestë, krahasuar me çantën e nxënësit të klasës së parë.

Cakolli vlerëson se zgjidhja e duhur do të ishte mobilizimi i faktorëve relevantë  dhe formimi i një ekipi punues që do të gjente mundësi më të mira për zgjidhjen e këtij problemi. “Mendoj se duhet intervenuar në kurrikulë dhe në infrastrukturë që nxënësit t’u lehtësohet pesha e çantës”, përfundon Cakolli.
Studimet e realizuara në Kosovë tregojnë se nxënësit bartin në shkollë më shumë libra dhe mjete mësimore se që i shfrytëzojnë në shkollë, pohon drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim në Kosovë, Dukagjin Pupovci.

Sipas tij, ky defekt mund të eliminohet nëse mësuesit japin udhëzime të qarta se cilat libra dhe materiale mësimore duhet t’i sjellin nxënësit në klasë, ndërsa prindërit përkujdesen që fëmijët të mos i marrin me vete gjërat që nuk ju duhen.

“Mësuesi duhet t’i planifikojë aktivitetet mësimore në atë mënyrë që nxënësit të mos i duhet t’i sjellë 3-4 libra për një lëndë mësimore gjatë një dite të vetme. Peshë të konsiderueshme kanë pajisjet e artit figurativ dhe të kulturës fizike, prandaj edhe rekomandohet që këto lëndë të mos jenë në orar brenda një dite”,  thotë Pupovci.  Sipas tij, një pjesë të problemit mund ta zgjidhin dollapët shkollorë që kërkojnë investime në infrastrukturë, por edhe kërkojnë ri-organizim të procesit mësimor, që nxënësit të mos jenë të detyruar t’i blejnë nga dy komplete libra, një për shkollë dhe një për shtëpi.

Sipas standardeve të  Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pesha e çantës së fëmijës nuk guxon t’i tejkalojë 10% të peshës trupore të fëmijës sepse në të kundërtën do të shfaqen problem shëndetësore.

Sipas fiziatres  Sanije Hajrizaj- Geci, ndër shkaktarët më të shpeshtë të lakimeve të boshtit kurrizor janë çantat e rënda të shkollës, sidomos te fëmijët e vegjël.

Sipas  saj,  nëse çantat e shkollës  kanë një peshë të rëndë, krijojnë shtypje të vertebrave dhe kjo ndikon direkt në deformimin e shtyllës kurrizore. Pesha që një fëmijë mund të mbajë nuk është e përcaktuar, por ajo duhet të jetë sipas moshës.

Ajo sheh edhe një tjetër problem në këtë aspekt e ky është cilësia e librit, e cila lë për të dëshiruar sepse botuesit janë kujdesur shumë që librat të jenë të ilustruar mirë e me shkronja të mëdha, por nuk janë kujdesur që ato të jenë të lehtë dhe praktikë.

Një hulumtim i vitit 1984, tregon se çanta e nxënësve të klasës së parë të vitit 1984, ka peshuar për 2 kilogramë më pak sesa çanta e nxënësve të klasës së parë të viteve të fundit.
E përderisa të bëhet një zgjidhje, vogëlushët do të vazhdojnë të bartin në krahë çanta me peshën që ua rrezikon shëndetin./gazetaere.com/


Viewing all articles
Browse latest Browse all 35758


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>