Në Bruksel u mbajt takimi për zbatimin e Marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave.
Në takim morën pjesë delegacionet e të dyja shteteve, Republikës së Kosovës dhe të Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Në këtë takim, Bashkimi Evropian bëri të njohur se e ka përcaktuar mekanizmin ndërkombëtar si certifikues të diplomave të nivelit universitar ( për bachelor, master dhe doktoraturë) të lëshuar nga të dy shtetet, transmeton Koha.net. Ky mekanizëm përbëhet nga ekspertë të fushës akademike të BE-së dhe diplomat e certifikuara do të mbajnë logon e BE-së. Pas certifikimit nga BE-ja, pastaj të dyja shtetet kanë detyrim të njohin dhe certifikojnë diplomat universitare të njëra- tjetrës ashtu siç e përcakton Marrëveshja për diploma e arritur në Bruksel më 19 janar 2016.
Ministrja Tahiri vlerësoi lartë këtë hap të ndërmarrë nga Bashkimi Evropian si dhe inkurajon kandidatët e interesuar për njohjen e diplomave të aplikojnë pranë zyrave të organizatës SPARK në të dyja shtetet për të paraqitur aplikacionin për njohje e diplomave cila pastaj do ta realizoj procesin e certifikimit ndërkombëtar. Tahiri sidomos vlerësoi se kjo marrëveshje është shumë e dobishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët kryesisht kanë kryer studimet në Kosovë që të aplikojnë për certifikimin e diplomave të mundësuar nga dialogu i Brukselit. Ajo shprehu bindjen se tani të diplomuarit, shqiptarët e Luginës së Preshevës, duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi që të kthehen të jetojnë dhe punojnë në trevat e tyre duke mos lejuar skemat e Serbisë për zbrazjen e luginës së Preshevës nga shqiptarët, e cila po ndodh tash shumë vite.
Në takim, BE ka njoftuar po ashtu se është në finalizim të kontraktimit edhe të një organizate tjetër ndërkombëtare e cila do të bëjë certifikimin e diplomave të nivelit parauniversitar që përfshijnë certifikimin e diplomave të shkollimit fillorë, të mesëm, vokacional, nivelin e pestë të kualifikimeve sipas kornizës së kualifikimeve evropiane (EQF), etj.
Takimi i radhës i grupit punës për vlerësimin e zbatimit të marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave pritet të mbahet pas dy jave ku palët do të takohen me partnerin zbatues të marrëveshjes SPARK dhe përfaqësuesit e BE-së.
Delegacioni i udhëhequr nga ministrja Edita Tahiri kishte në përbërje edhe këshilltaren dhe koordinatoren e çështjes Arjeta Rexhaj, drejtorin e Zyrës për Planifikim Strategjik – Qemajl Marmullakaj, këshilltari politik dhe shef i Kabinetit MAShT – Kushtrim Shkodra, dhe përfaqësuesi nga Ambasada e Kosovës në Belgjikë, Haxhi Bajraktari.