Lëvizja Vetëvendosje përmes një konference për shtyp ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të përgjegjësisë dhe përkrahjes për fermerët blegtoralë, të cilët po ballafaqohen me sëmundjen virale të gjedheve të tyre, Sëmundjen Gungore të Lëkurës (LSD).
Deputeti Driton Çaushi tregoi se tash e disa muaj kjo sëmundje është përhapur edhe në Republikën e Kosovës, ku për dallim nga shtetet e rajonit, nuk po bëhet kompensimi i dëmit e as vaksinimi për parandalimin e infeksionit, transmeton Koha.net.
“Siç keni dëgjuar besoj, kemi të bëjmë me një sëmundje virale,e cila ka dëme të mëdha socio-ekonomike, sidomos duke marrë parasysh rrethanat në Kosovë ku shumica e fermerëve janë të vegjël, dhe humbjet që shkaktohen nga rënia e produktivitetit të kafshëve dhe ulja e shëndetit të tyre deri në vdekshmëri nga kjo sëmundje, natyrisht që i detyron shumë fermerë të braktisin këtë aktivitet, duke shkaktuar edhe falimentimin e shumë fermerëve”, theksoi Çaushi.
Çaushi po ashtu e quajti institucion të kapur Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, për të cilin institucion tha se ka lëshuar deklarata skandaloze në lidhje me konsumin e produkteve të gjedheve të sëmura, që është në kundërshtim me ligjet vendore dhe ndërkombëtare për konsumin. Si dhe për mungesën e vaksinave, që i detyron fermerët t’i sigurojnë ilegalisht ose të falimentojnë.
“Gjithashtu, problem tepër i rëndësishëm në mënyrën se si duhet trajtuar kjo sëmundje dhe kjo situatë emergjente është vaksinimi i kafshëve. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në masën e duhur, Pra, kemi javë të tëra që premtohen vaksina. Përderisa gjitha shtetet përreth e kanë kryer dhe vazhdojnë ta kryejnë vaksinimin, një gjë e tillë në Republikën e Kosovës nuk po ndodh”, deklaroi deputeti Çaushi.
Në fund Çaushi shtoi se Lëvizja Vetëvendosje e ka problematizuar herët tregtinë ilegale të kafshëve që ndodh në komunat kufitare me Serbinë, duke përmendur se rasti i parë i këtij infeksioni ka ndodhur në komunën e Dardanës, ku tha se ndodh edhe tregtia më e madhe ilegale me gjedhe.