Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas seancës së sotme, ku do të duhej të diskutohej për projektligjin e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, por që në momente të fundit u tërhoq nga Qeveria e Kosovës, ka dërguar një reagim për media.
Sipas deputetëve të AAK-së, “kryeministri i jugosllavizuar, nuk pati guxim ta sjellë projektligjin pa miratimin e Vuçiqit”
“Muajve, javëve e ditëve të fundit jemi përballë me një kryeministër e një president që, me veprimet e tyre e kanë cenuar konstitucionalizmin (edhe ashtu të brishtë) dhe Kosovës ia kanë zbehur karakterin kontraktualist të shtetit, duke mos e respektuar kushtetutën, e cila në raport me popullin është një Kontratë e Madhe (si në çdo vend demokratik), dhe padyshim është substanca prej nga rrjedhin të gjitha llojet e ligjeve mbi të cilat është superiore”, thuhet në reagimin e AAK-së.
Sipas deputetëve të AAK-së, presidenti e kryeministri në tërë këto ditë janë sjellë me abuzim, si monarkët, aristokratët apo si dikush që gëzon privilegje të veçanta shoqërore, e jo si ata që janë 100 për qind në shërbim të vendit, ashtu siç betimin e kanë dhënë.
“Ky pushtet, u pa edhe sot se, nuk e ka legjitimitetin popullor/politik, e as burimet e sovranitetit nuk i ka të vërteta, për të dëmtuar vendin me marrëveshjen e demarkacionit. Çfarë gjuhë (force) të argumentit duhet përdorur edhe më tutje që të bindën, ky president e ky kryeministër, se marrëveshja për demarkacionin nuk e ka asnjëfarë legjitimiteti, moral, kombëtar, historik e legal?”, thuhet në reagimin e AAK-së. “A na tregojnë presidenti e kryeministri se prej nga po furnizohen me ketë energji për të ‘betonizuar’ një marrëveshje që nuk është aspak në harmoni me të kaluarën e afërt të atyre kufijve dhe nuk është po ashtu në asnjë rast në frymën e një Ligji që e ruan dhe e rritë lirinë e Kosovës? Çka do të duhej të ishte thelbi i gjithë secilit Ligj. Meqë autoriteti i institucioneve buron nga Kushtetuta, pse këta pushtetarë nuk e pranojnë kontrollin e përgjegjësinë Kushtetutes/të popullit? Populli i ka thënë jo kësaj marrëveshje përmes mbi 200 mijë nënshkrimeve dhe dhjetëra protestave e organizimeve të tjera”, thuhet më tej aty.
Jemi shumë të habitur se si po abuzohet vijimisht me pushtetin për të shtyrë përpara ketë marrëveshje që aspak nuk i sjellë perspektivë vendit, thuhet në reagim.
“Deputetët nuk po lihen të lirë nga presidenti e kryeministri për të vendosur ashtu qysh nuk do të dëmtohet territori, e interesi i qytetarëve që jetojnë brenda këtij territori. Deputetët duhet të jenë të paprekshëm dhe të imunizuar sepse janë gardianët e sovranitetit të Kosovës në emër të sovranit/popullit. Qeveria dhe Presidenti nuk janë kufizuar në autoritetin e vet kushtetues, por kanë tentuar të kalojnë mbi organin më të lartë shtetëror, siç është Kuvendi i Kosovës”, thuhet në reagimin e AAK-së. “Sot, ishte një rast të mirë që Kuvendi i Kosovës t’i tregonte qeverisë se ekziston dhe duhet të respektohet edhe praktikisht ndarja e pushteteve, nëse deputetëve do t’u jepej mundësia për t’i thënë JO projektligjit për demarkacionin, që e kishte propozuar kjo qeveri e këtij kryeministri të jugosllavizuar, por që e tërhoqën në momentet e fundit, ngase kështu i është sugjeruar, ndoshta, nga kryeministri i Serbisë. Ua rikujtojmë, presidentit e kryeministrit, se çmimi i lirisë për territorin e Kosovës nuk është vetëm jetët e shumta që janë dhënë për të, po edhe vigjilenca e përjetshme, që ta ruajmë këtë liri e ketë territor”.
AAK, në fund të reagimit, thotë se dëshiron t’i bëjë me dije Qeverisë që të mos e rimarrin guximin, e ta sjellin prapë të njëjtin version të projektligjit, sepse kështu nuk do të normalizohet Kosova.