Një e burgosur e Qendrës Korrektuese në Lipjan ka vdekur të dielën pasdite në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Për këtë rast është njoftuar policia e Kosovës të cilët e kanë cilësuar si vdekje të dyshimtë.
Mirëpo, Këshilli për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Prishtinë, nëpërmjet një komunikate është deklaruar se e burgosura e lindur në vitin 1976 vuante nga një sëmundje e pashërueshme, njofton Klan Kosova.
Sipas kësaj organizate, ata kishin kërkuar që për shkak të gjendjes shëndetësore ajo të lirohej apo t’i zëvendësohej masa e paraburgimit me ndonjë masë tjetër në mënyrë që ajo të ketë mundësi për trajtim dhe shërim.
KMDLNJ konstaton se Shërbimi Korrektues i Kosovës në Lipjan ka ndërmarrë të gjitha masat, në kuadër të mundësive ekzistuese për trajtimin shëndetësor të të paraburgosurës B. Z mirëpo, gjykata ka vendosur ta mbajë atë të mbyllur në burg.