Kur kthejmë sytë prapa në rrugën 5-6-shekullore të zhvillimit të albanologjisë, vepra e Eqrem Çabejt (1908-1980) na del para si Tomor i lartë, në peizazhin e gjerë e të larmë të kulturës shqiptare. Përmasat e jashtëzakonshme dhe shumanshmëria e veprës së tij e bëjnë të pamundur rrokjen dhe paraqitjen e përshtatshme të saj në një shkrim të shkurtër si ky, prandaj autori këtu i ka vënë vetes një qëllim shumë më modest.
Formimi i shkencëtarit
Eqrem Çabej ishte bir i një familjeje të kulturuar dhe atdhetare, i një “dere të parë” gjirokastrite. Arsimin fillor e kreu në Gjirokastër, por falë vetive të tij personale, ai fitoi një bursë të Bashkisë së qytetit për të vazhduar për 12 vjet studimet në Austri: në St. Pölten (në familjen Rienmüller) tetëvjeçaren, në Klagenfurt gjimnazin dhe në Grac e Vjenë studimet e larta. Pas mbarimit të studimeve dhe mbrojtjes së tezës së doktoratës me “Studime Italo-Shqiptare (Italo-albanische Studien), ai kthehet në atdhe.
Te studiuesi i ri u harmonizuan disiplina dhe serioziteti në punë, logjika e fortë, përpikëria dhe “fanatizmi” në kërkimin e së vërtetës me edukimin e tij intensiv në Austri, e sidomos në Universitetin e Vjenës, që në atë kohë ishte qendra botërore e studimeve albanologjike, ku punonin dhe ligjëronin autoritete nga më të shquarat të gjuhësisë indoeuropiane, arkeologjisë dhe historisë. Djaloshi gjirokastrit pati fatin të ishte student i albanologut më të madh të kohës, Norbert Joklit, dhe të kishte udhëheqës teme një nga helenistët më të mëdhenj të të gjitha kohëve, Paul Kretschmer, të dy mbështetës dhe zëdhënës të mëdhenj të teorisë së prejardhjes ilire të shqiptarëve.
Ai kthehet në atdhe me dëshirë të madhe dhe besim për të ndihmuar edhe vetë në ndriçimin e historisë së gjuhës e kulturës sonë kombëtare. Ende në të njëzetat e jetës së tij, kreu disa punime serioze e udhëhapëse në fushën e folklorit, etnografisë, mitologjisë dhe historisë së letërsisë shqipe, që u botuan kryesisht në një numër revistash shkencore europiane.
Ato punime u pritën me interes dhe u cituan gjerësisht, sidomos në literaturën historike e gjuhësore europiane të viteve 30 të shekullit të kaluar, nga autorë si Norbert Jokli, Carlo Tagliavini, Georg Stadtmüller, etj.
Për t’u përmendur janë artikujt Sitten und Gebräuche der Albaner (Tradita dhe doke të shqiptarëve) (1935); Rumänisch-albanische Lehnbeziehungen (Marrëdhënie huazimi rumuno-shqiptare) (1936); Albaner und Slaven in Suditalien (Shqiptarë dhe Sllavë në Italinë e jugut) (1938); Miszellen (Shkrime të ndryshme) (1938), në Revue Internationale des études balkaniques; Mundartliches aus Italien (Elemente dialektore nga Italia) (1936) në Glotta; Volkstum und Volksname der Albaner (Karakteri kombëtar dhe emri kombëtar i shqiptarëve) dhe Kult und Fortleben der Göttin Diana auf dem Balkan (Kulti dhe mbijetesa e perëndeshës Diana në Ballkan) (1941) në Leipziger Vierteljahrsschrift für Sudosteuropa; Der albanische Dichter Gjergj Fishta (1941) (Poeti shqiptar Gjergj Fishta) nëSüdost-Forschungen. Ai mori pjesë si bashkëpunëtor edhe në hartimin e Enciklopedisë Kroate (Hrvatska Enciklopedija) të botuar në vitin 1941. Me këto punime Çabej u bë zëri më i dëgjuar, në mos i vetmi, i shkencës shqiptare në Europë, qysh në vitet 30-të të shekullit të kaluar.
Në vështrimin e parë, këto punime të krijojnë përshtypjen se studiuesi i ri po kërkonte të gjente veten dhe fushën e tij të posaçme të studimit në të cilën do të bënte emër. Megjithatë, në prapavështrim, të gjitha ato jo vetëm ishin brenda fushës së gjerë të kërkimit albanologjik, por ishin një prelud dhe përgatitje për sulmin ballor që ai do të ndërmerrte më vonë për ndriçimin e historisë së gjuhës shqipe, etimologjisë dhe morfologjisë së saj e, më tej akoma, për prejardhjen ilire dhe vendin e formimit të gjuhës shqipe e të popullit shqiptar. Ato punime janë pjesë e pandarë e truallit kërkimor mbi të cilin do të lartohej ngrehina e tij e papërsëritshme albanologjike.