Kryeministri Edi Rama duket se ka vendosur të shfajësohet dhe të distancohet nga sabotimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në 15 njësi vendore, në zgjedhjet e 21 Qershorit, ku kandidatët e LSI humbëm në gjashtë bashki të rëndësishme.
Dy muaj pas zgjedhjeve të 21 Qershorit dhe disa ditë pasi në bazën e PS-LSI nisën akuzat dhe kundërakuzat, Rama ka vendosur të shkarkojë të gjithë kryetarët e degëve të Partisë Socialiste në bashkitë ku humbi Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialiste.
Disa ditë pas urdhrit për drejtuesit vendorë të partisë, për të ndalur provokimet dhe sulmet ndaj LSI, kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një hap tjetër, duke diktuar shkarkimin nga funksionet partiake të kryetarëve të PS në rrethe në bashkitë e humbura. Koalicioni PS-LSI, në zgjedhjet lokale të 21 Qershorit, humbën 15 bashki nga 61 të tilla, ndonëse fituan rreth 98 përqind të këshillave bashkiakë.
Nisur nga hendeku i madh mes votave për këshillat bashkiakë dhe votës për kryetarët e bashkive, u krijua bindje për një skenar sabotimi brenda koalicionit. Madje, ditët e fundit u artikuluan disa akuza nga të dy kampet në nivel lokal.
Megjithatë, në Partinë Socialiste mësohet se janë marrë masat e para ndaj drejtuesve të partisë në njësitë e humbura vendore. Sipas burimeve, vendimi është marrë gjatë mbledhjeve të para të krerëve të organizatave të Partisë Socialiste në rrethe, por ky vendim sigurisht është diktuar nga kryeministri Edi Rama.
Gjatë ditës së premte, disa nga kryetarët e Partisë Socialiste në bashkitë e humbura janë njohur me vendimin e diktuar nga qendra, ndërsa krerëve të tjerë me rezultat negativ, do t’u komunikohet ky vendim në fillim të muajit shtator. Sipas burimeve, kryeministri Edi Rama, gjatë takimeve me përfaqësuesit e grupeve për analizën e zgjedhjeve dhe reformimin e PS, ka pohuar se nuk do të pranojë asnjë justifikim nga kryetarët e PS për njësitë e humbura në zgjedhjet e 21 Qershorit.
↧
Shkarkohen kryetarët e PS në 15 bashkitë e humbura
↧