Edhe njohësit e çështjeve juridike zgjedhore vlerësojnë se shndërrimi i Maqedonisë në një njësi zgjedhore do të siguronte barazinë e votës shqiptare me votën e të tjerëve, që me sistemin aktual vihet në pikëpyetje, për shkak të dallimeve në votues mes njësive zgjedhore.
Ish deputeti Naser Zyberi thekson se nga të gjitha opsionet e përmendura në opinion, modeli me një njësi zgjedhore dhe lista të hapura është opsioni më korrekt.
“Kuptohet që ky model nëse shndërrohet në një njësi zgjedhore, në këtë rast do të korrigjoheshin edhe këto padrejtësi ekzistuese, ku njësitë zgjedhore 6 të themi, por edhe njësitë e tjera zgjedhore ku graviton elektorati shqiptarë, janë me numër më të madh që e tejkalon edhe limitin e paraparë me ligj, plus-minus 3%, dhe në këtë mënyrë formimi i Maqedonisë një njësi zgjedhore me model proporcional zgjedhor dhe sidomos me lista të hapura, mund të bëjë një sistem zgjedhor kredibil, do të prodhojë rezultate zgjedhore të ndershme, të besueshme, të pranueshme”, tha Naser Zyberi, analist.
Zyberi madje thekson se vetë hartuesit e sistemit aktual e kanë pranuar publikisht që ky sistem është krijuar për uljen e mandateve të deputetëve shqiptarë dhe zhvleftësimin e votës shqiptare.
“Për mua nuk ka dilemë se në Maqedoni duhet të ketë një njësi zgjedhore dhe model proporcional të zgjedhjeve. Në këtë mënyrë do të efektohen të gjitha votat, nuk do të ketë krijim të njësive me disbalanc të numrit të votuesve dhe çdo votë do të ketë peshën e njëjtë në procesin zgjedhor. Zaten, krijimi i modelit proporcional rajonal, në vitin 2002 është bërë me motive që të grumbullohen votat e shqiptarëve në një njësi zgjedhore dhe me këtë automatikisht të zvogëlohet numri i mandateve të deputetëve shqiptarë. Këtë madje hartuesit e ligjit e kanë pranuar publikisht në deklaratat e tyre”, deklaroi Naser Zyberi, analist.
Sipas modelit aktual zgjedhor, shqiptarët janë shumicë në vetëm një nga 6 njësitë zgjedhore. Edhe atë, për 20 deputetë në njësinë e 6të zgjedhore, ku janë shumicë shqiptarët, janë të regjistruar 304 mijë votues, bazuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014. Në njësitë 3 dhe 4, për numrin e njëjtë të deputetëve votojnë vetëm 280 mijë votues. Partitë opozitare shqiptare, RDK, Besa dhe Lëvizja për Reforma në PDSH u shprehën dje njëzëri për një njësi zgjedhore, ndërsa BDI-ja këmbëngul që të mbetet sistemi aktual. Nga partitë maqedonase, edhe LSDM-ja i ka dhënë përkrahje opsionit me 1 njësi zgjedhore. As VMRO DPMNE-ja nuk është e bindur në nevojën për ndryshimin e sistemit aktual, por nëse ndryshohet, ata kërkojnë kthimin e sistemit të shumicës, që ishte funksional në 3 ciklet e para zgjedhore pas pavarësimit të Maqedonisë.
↧
Ekspertët: Sistemi me 6 njësi, në dëm të shqiptarëve
↧