Gjuha shqipe po lihet mbas dore, nuk po përditësohet dhe nuk po përmirësohet e pasurohet ashtu siç ndodh me gjuhët e kombeve të tjera të qytetëruara.
Nga njëra anë, vërehet qartazi një përdorim gjithnjë e më i madh i dialekteve në komunikimin e përditshëm, veçanërisht në të folur por edhe në të shkruar, sidomos në rrjetet sociale, shkruan sot në Koha Ditore, Ardian Muhaj.
Nga ana tjetër, vërehet se përkujdesja dhe mirëmbajtja e gjuhës standarde është shumë e vogël dhe më shumë ka pamjen e një prirjeje për të mbrojtur standardin e vendosur para 45 vitesh, sesa për ta pasuruar e përditësuar.
Qartazi duket se ngërçi që po e ngurtëson gjuhën shqipe të standardizuar, ka të bëjë me frikën se nëse hapet gjuha drejt përfshirjes së fjalëve e formave të reja, kjo do të sillte në rend të ditës çështjen e mënjanimit të gegnishtes nga përfaqësimi në standardin zyrtar. (Më gjerësisht mund të lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)