Tashmë është zyrtare: Gjermania këtë vit pret katër herë më shumë refugjatë se në 2014-n.
Në pranverë Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët kishte parashikuar që 2015-ta të sillte rreth 450.000 kërkesa për azil.
Ministri i Brendshem, Thomas de Maiziere konfirmoi në Berlin atë që mediet gjermane e artikulonin prej ditësh.
“800.000 vetë pritet të vijnë sivjet në cilësinë e azilkërkuesve, çka përbë një sfidë për federatën, landet dhe autoritetet lokale, të cilat duhet te bashkëpunojnë”, u shpreh ai.
Përveç kësaj, ai sugjeroi liberalizimin e kërkesave ligjore për strehimorët.
“Ne duhet të bëjmë ndryshime, ne duhet të veprojmë më shpejt, ne duhet të veprojmë në mënyrë më pragmatike”, ishin fjalët e De Maiziere.
Zyrtari i lartë deklaroi se qendrat e strehimit për refugjatët kanë shumë rregulla që lidhen me standardin e tyre, apo me sigurinë dhe mbrojtjen nga zjarri. Për ministrin e Brendshëm, të tilla rregulla duhet të liberalizohen, ose duke ndryshuar ligjin, apo edhe mund të miratohet një ligj i veçantë.
Qeveria federale dhe qeveritë e landeve kanë vendosur që të shkurtojnë procedurën e azilit.
Sidomos refugjatët nga vendet e Ballkanit, si Kosova apo Shqipëria, kërkesat e të cilëve refuzohen pothuajse 100 për qind, do të riatdhesohen më shpejt dhe nuk do të shpërndahen në qendra dhe strehimore nëpër Gjermani.