Sot, Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka dhënë shenja se zgjedhje të parakohshme mund të mbahen në Serbi.
Ai ka thënë se që të dy, Lideri i Partisë Demokratike të Serbisë Bojan Pajtiq si dhe Lideri i Partisë Demokratike të Sanxhakut për Aksion Sulejman Uglajin janë të entuziazmuar pas idesë së zgjedhjeve të parakohshme, raporton Indeksonline. “Në këtë mënyrë, mundësitë janë që dëshirat e tyre të realizohen”, ka thënë Vuçiq.
Mes liderëve serbë janë vërejtur shpeshherë mospajtime dhe përplasje të shumta, veçanërisht kur në fokus kanë qenë temat për qasjen e Serbisë ndaj Kosovës.
Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliq, themelues i Partisë Progresive Serbe, disa herë ka qenë në kundërshtim me qëndrimet e Kryeministrit Vuçiq për Kosovën.
Platforma për Kosovën, e iniciuar nga Presidenti serb Nikoliq ishte paralajmëruar disa herë se do të publikohej dhe të hudhej në Parlamentin e Serbisë për votim, por Vuçiq e ka injoruar me gjakftohtësi dhe debati mbi këtë platformë është shuar.
Konfrontimet midis liderëve serbë për Kosovën janë aktuale edhe brenda vetë kabinetit qeveritar. Lideri i Partisë Socialiste të Serbisë, dhe Ministri për Punë të Jashtme, Ivica Daçiq, sipas raportimit të disa medieve serbe e ka sabotuar së bashku me Nikoliqin vullnetin e Vuçiqit për pranimin e Kosovësn në UNESCO, raporton Indeksonline.
Sipas medieve serbe Vuçiq ka qenë i gatshëm t’i hap dyert, dhe të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe Interpol, por një gjë e till është kundërshtuar nga Daçiq dhe Nikoliq.
Dy ditë më parë e përditshmja “Danas” që njihet për marrëdhënie të mira me politikanët serbë, në një shkrim të botuar kishte shkruar se po vërehen shenjat e para të përçarjes midis lidershipit serb kur temë debati është bllokimi i Kosovës në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
Mospajtimet midis tre burrështetasve serbë mund të jenë arsyeja thelbësore që Serbinë e çon drejt zgjedhjeve të parakohshme, edhe pse supozime të tilla nuk janë konfirmuar ende nga ndonjëri prej tyre. /Indeksonline/