Aronia është një pemë që vjen nga Amerika Veriore dhe është një nga 15 speciet e gjinisë Sorbus. Aronia hyn në grupin e bimëve shumëvjeçare, e cila mundë të rritet në gjatësi 1 deri në 3 metra, në varësi të kushteve klimatike, ndonjëherë edhe më shumë.
Ajo rritet në të gjitha llojet e tokave dhe mund t’i rezistojë temperaturave shumë të ulëta. Kultivimi i saj nuk kërkon ndonjë kujdes të veçantë.
Aronia është një bimë shumë e dobishme për shëndetin e njeriut, por gjen përdorim shumë të madh edhe në farmaceutikë për përgatitje të barnave për trajtimin e shtypjes të gjakut, sëmundjeve neurologjike, etj..
Frutat e aronisë përdoren për konsum të freskëta ose të përpunuara. Ato janë të mira për të prodhuar lëng aronie, i cili ka një efekt mjaft të dobishëm në forcimin e imunitetit të organizmit.
Përveç lëngut, mund të përgatitet edhe çaj, marmelatë, verë, pastaj mund të shërbejë edhe si ngjyrues i pijeve dhe verërave. Gjithashtu, përdorim gjen edhe si përbërës i produkteve të ndryshme ushqimore e në veçanti për ëmbëlsira. Përdoret edhe për përgatitjen e koktejeve te ndryshme.
Në Kosovë, ka nisur të kultivohet në parcela jo shumë të mëdha edhe në Kosovë, por po rritet çdo ditë. E duke parë këtë në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë vendosur që në programet për vitet e ardhshme ta subvencionojnë edhe aroninë. Këtë e ka thënë vet dje Ministri Memli Krasniqi.
“Për të biseduar me shumë me kultivuesit e mjedrës, sot bashkë me drejtorin e USAID-it në Kosovë, James Hope, vizituam Panairin e Mjedrës në Prishtinë, në sheshin “Nëna Terezë”. Aty takova edhe kultivues të manaferrës, boronicës dhe aronisë. Kjo e fundit, ndonëse në sipërfaqe ende të vogël, po kultivohet mjaft mirë në Kosovë. Lajmi i mirë i radhës për ta është se nga viti i ardhshëm do ta përfshijmë në programet tona mbështetëse edhe aroninë”, ka thënë Krasniqi.
Të mirat shëndetësore të konsumit të Aronisë:
-ndikon në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare
-normalizon nivelet e presionit të gjakut
-përmirëson qarkullimin e gjakut dhe forcon zemrën
-përmirëson ndjeshëm elasticitetin e enëve të gjakut
-ka një ndikim pozitiv në proceset post-operative
-ndihmon në trajtimin e infeksioneve të traktit urinar
-ndihmon luftën kundër baktereve dhe në ftohje
-përmirëson kujtesën
-ngadalëson procesin e plakjes së qelizave
Frutat e pjekur të aronisë marrin ngjyrë të kuqe të errët, e cila kthehet pothuajse në të zezë kah fundi i fazës së pjekurisë dhe si të tilla edhe konsumohen. /lajmi.net