Pas kërkesës së AKP-së ndaj RTK-së që të lirojë pronat e uzurpuara deri më 25 maj, 2016, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ) ka reaguar ndaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për siç thotë fushatën dhe kërcënimet ndaj Radio Televizionit të Kosovës.
Sipas KMLDNJ-së, AKP-ja është duke bërë zhurmë pa nevojë. Madje Këshilli i rekomandon AKP-së që të zbatojë vendimet gjyqësore në favor të punëtorëve të Fabrikës së Tubave nga Ferizaj dhe ndërmarrjeve të tjera që janë dëmtuar gjatë procesit të privatizimit.
“AKP në një fushatë për lirimin e pronave të uzurpuara ka urdhëruar RTK – në që në afatin deri më 25 maj 2016 t’i lirojë objektet që është duke i shfrytëzuar që nga përfundimi i luftës ndryshe është kërcënuar se do t’i lirojë këto objekte me ndihmën e Policisë së Kosovës për faktin se këto objekte qenkan pronë e RTP – së e cila nuk është funksionalizuar asnjëherë pas përfundimit të luftës në ndërkohë që UNMIK dhe OSBE e kanë formuar transmetuesin publik RTK –ës”, thuhet në reagimin e KLMDNJ-së.
KMDLNj thotë se edhe më herët ka kërkuar të zgjidhet statusi i të punësuarve në ish RTP të cilët kanë mbetur rrugëve duke u shndërruarnë raste sociale, pa fajin e tyre.
“Kurse për pronësinë e objekteve të kontestuara është dashur dhe duhet të vendosin organet relevante dhe vetëm pas kësaj , AKP si institucion që më së shumti ka dhunuar të drejtën e shfrytëzimit të pronës për qytetarët që janë përzërë nga veriu i Kosovës ( Mitrovicë Veriore , të drejtat e punëtorëve që kanë pësuar shumë gjatë privatizimeve kriminale do të kishte të drejtë morale t’i kërcënohej atyre që me ndihmën dhe pëlqimin e ndërkombëtarëve paskan uzurpuar objektet shoqërore”, thuhet tutje.
Sipas KMLDNJ-së, edhe AKP ka qenë e vendosur dhe është e vendosur në një pronë shoqërore – publike që dikur ishte Park i Fëmijëve të Qytetit.
“AKP po bënë zhurmë pa pasur nevojë dhe në funksion të bërjes zhurmë me qëllim të mbulohen privatizimet e kriminalizuara pjesë e së cilës kanë qenë dhe janë disa anëtarë të Bordit të AKP –së. AKP duhet të zbatojë vendimet gjyqësore në favor të punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj dhe ndërmarrjeve tjera që janë dëmtuar gjatë këtij procesi e jo ta nxjerr RTK – në rrugë e që nuk mund ta bëjë, së paku në këtë kohë”, thuhet në reagim.
KMLDNJ thotë se nuk është zgjidhje flakja e RTK –së në rrugë para se t’i sigurohet një lokacion i përshtatshëm nga Kuvendi i Kosovës.
“Por zgjidhje do të duhej të ishte vendosja e rendit dhe rregullit në RTK, largimi i RTK –së nga kthetrat e ndikimit politik, luftimi i nepotizmit gjithëpërfshirës, joprofesionalizimit dhe dukurive tjera për të cilat KMDLNj më vonë mund të dalë me një raport të. Informimi objektiv dhe cilësor i opinionit do të duhej të ishte detyra kryesore e RTK –së e që në fakt nuk është kështu. Deri atëherë, AKP duhet t’i ulë poshtë armët me të cilat po e kërcënon RTK – në kurse gjykatat duhet të vendosin mbi pronësinë e objekteve ku është vendosur RTK”, thuhet në fund.