Austria do ta mbështesë Kosovën në anëtarësimin e saj në UNESCO, Interpol dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Këtë mbështetje e ka dhënë ambasador në shkuarje i Austrisë në Kosovë, Johann Brieger, gjatë një vizite që ka pasur me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi.
Sipas një komunikate të MPJ-së, thuhet se Brieger, ka thënnë se“ Austria mbetet një avokate e përkushtuar për anëtarësimin e vendit në UNESCO, Interpol dhe në organizma të tjerë globalë, si dhe për integrimin euroatlantik të Kosovës”, është shprehur ai.
Kurse, zëvendësministri Selimi e falënderoi ambasadorin Brieger për mbështetjen e fuqishme të Austrisë dhënë Kosovës si një nga partneret më të rëndësishme ekonomike të saj, përmes investimeve gjithnjë në rritje, por edhe nëpërmjet lobimit për afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Selimi dhe Brieger diskutuan për axhendën e Samitit ne Vjenë, që do të mbahet më 27 gusht 2015, në kuadër të “Procesit të Berlinit” të nisur nga kancelarja gjermane Angela Merkel.
Ky proces synon të prodhojë rezultate të prekshme përmes bashkëpunimit rajonal të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë projekte në fushat e infrastrukturës, energjisë, bujqësisë.
Ata u dakorduan se forcimi i ndërlidhjes në mes vendeve të rajonit dhe e atyre me Bashkimin Evropian përbëjnë faktor kyçë për zhvillim ekonomik dhe vende të reja të punës.