Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka paralajmëruar se do ta vizitojë Kosovën për festen e pashkëve ortodokse, njofton Klan Kosova.
Gjuriq ka njoftuar se do të marrë pjesë në liturgjinë në manastirin e Graçanicës, por do të vizitojë edhe një fshatë në Gjilan.
Por, ende nuk dihet nëse për këtë vizitë Gjuriq ka kërkuar leje nga organet e Kosovës, ashtu siç i ishte thënë të bëjë edhe në vizitat e kaluara, thirrje të cilën njëherë e pati shmangur.
KlanKosova.tv ka provuar të kontaktojë me Ushtruesin e Detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimin, për të kuptuar nëse Gjuriq ka kërkuar leje, por kontakti me të ka qenë i pamundur.
Kurse, Besim Hoti, zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, ka thënë për KlanKosova.tv se ata nuk kanë pranua kurrfarë urdhër ndalese për Gjuriq-in, nëse ai futet nga pika kufitare në Jarinje.
“Nuk kemi ndonjë urdhër-ndalese për Gjuriq-in dhe as ndonjë informatë se ai do të futet nga pika kufitare në Jarinje në Kosovë”, ka shpjeguar Hoti.
“Ne do të presim dy autobusë me pelegrinë nesër, të cilët do të vizitojnë vendet e tyre të shenjta dhe ne do t’i përcjellim. Në njërin autobus do të jenë 56 veta kurse në tjetrin 36, por nuk kemi ndonjë informatë për ardhjen e Gjuriq nga kjo anë”.
Disa nga vizitat e politikanëve serbë kohëve të fundit, sidomos para zgjedhjeve në Serbi, ishin ndaluar nga organet e rendit në Kosovë.
Një ndalesë për hyrje në territorin e Kosovës, ishte caktuar më herët edhe për Marko Gjuriq, por që të njëjtën e kishte shpërfillur politikani serb.
Më vonë, pas një raundi bisedimesh ne Bruksel, nga pala Kosovare u tha se Gjuriq kishte kërkuar falje për mosrespektim të ndalesës, njofton Klan Kosova.