Quantcast
Channel: Llapi.info
Viewing all articles
Browse latest Browse all 35758

Agim Ramadani dhe të rënët në Koshare nuk do të harrohen kurrë

$
0
0

Heroi i kombit, Agim Ramadani është përkujtuar sot me një akademi përkujtimore me rastin e 17 vjetorin të rënies në betejën e Koshares në prill të vitit 1999.

Pjesëmarrësit në akademi përkujtimore e cilësuan Ramadanin si njeri të dijshëm, inteligjent dhe trim.

Ministri i Forcës së Sigurisë, Haki Demolli, tha se Agim Ramadani ishte i pari që e theu kufirin shqiptar–shqiptar që ishte bërë deri në atë kohë “si muri kinez”.

“Bëhet fjalë për betejën më të lavdishme të zhvilluar ndonjëherë në trojet shqiptare, e cila përveç karakterit dhe urtësisë operativo ushtarake kishte rëndësi edhe më të madhe në planin strategjik e sidomos në atë politik. Është e pamundur të flitet për betejën e Koshares e të mos veçohet kontributi i jashtëzakonshëm që kishte dhënë komandanti i ‘Brigadës 138’, heroi i kombit Agim Ramadani në përgatitjen dhe planifikimin e kësaj beteje historike. Komandanti Agim Ramadani, jo vetëm që udhëhoqi me përgatitjen , planifikimin, përgatitjen dhe udhëheqjen e betejës së Koshares por ai e drejtoi dhe komandoi me fushëbetejën e operacionit ushtarak i cili filloi me 9 prill 1999 e që u kurorëzua me fitoren më të madhe dhe më të lavdishme të UÇK-së. Ishte ky prijës i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës të bashkuar në ‘Brigadën 138’ në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani që për epilog kishte rrënimin një herë e përgjithmonë të kufirit gati shekullor që ishte bërë si një ‘mur kinez’ për ndarjen politike, ekonomike, arsimore, kulturore pra thjesht për ndarjen e shqiptarëve në trojet etnike”, tha Demolli.

Me emocione të mëdha e ka përkujtuar heroin Agim Ramadani edhe bashkëluftëtari i tij Agron Jusufi.

Ai tha se Agim Ramadani dhe dëshmorët tjerë nuk janë vrarë për të bërë emër por janë vrarë për tokën e Kosovës.
“Kanë kaluar 17 vite e një ditë që për herë të fundit u përshëndeta me Agimin në oborrin e karakollit në Koshare. Atë botë ai ishte 36 vjeç e unë sot jam 44 vjet. Në fakt shumica dërmuese që patëm fatin ta njohim Agimin sot jemi në moshë më të madhe se që ishte ai atëherë, e megjithatë ai është për ne. Ende e kemi parasysh Agimin si tregues, e kemi personalitetin e tij si matës për gjendjen tonë, e kemi veten e tij si synim. A thua pse? Besoj neve nuk na ka ngecur ora, nuk na ka ngecur ora në vitin e luftës të gjithë kemi llogari në Facebook, të gjithë e dimë sa uji ka rrjedhë nën orën e Ibrit por ky respekt vjen natyrshëm, natyrshëm se virtytet e personalitetit të Agimit i përballojnë çdo kohe, çdo vendi”, tha Jusufi, i cili gjithë fjalimin e tij e lexoi me lot.

Një mesazh të fortë për klasën politike të Kosovës e dha djali i heroit, Edon Ramadani.

Ai tha se amaneti i babait të tij ishte që gjithnjë të qëndrojnë të bashkuar në mënyrë që të jenë sa më të fortë.

“Më lejoni t’iu falënderoj me shprehjen e babit: ‘ kur pushkët bashkohen edhe krismën e kanë më të fortë’. Le të përdoret ky mesazh për udhëheqjen politike tani kur Kosova ka nevojë për bashkimin e faktorit politik drejt përafrimit të lirisë dhe vlerave, të cilat do ta përfaqësonin në botë si vend të paqes, tolerancës dhe unitetit. Të bashkuar jemi më të fuqishëm dhe zëri ynë do të ishte më i fortë dhe më i qartë para botës, në ruajtjen e gjakut të derdhur, në mbrojtje të Kosovës, jetën ia kemi borxh Kosovës , ia kemi borxh gjeneratave të reja”, tha Edon Ramadani.

Akademia përkujtimore për heroin e kombit Agim Ramadani u organizua nën patronatin e Qeverisë së Kosovës. Në këtë akademi nuk ishte i pranishëm kryeministri Isa Mustafa, ndërsa morën pjesë pjesëtarë të familjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, ish-luftëtarë të zonës së Dukagjinit dhe bashëkluftëtarë të Agim Ramadanit.

Në fund janë lexuar dhe poezi të shkruara nga heroi Agim Ramadani si dhe u interpretuan disa pika artistike.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 35758


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>