Nisma për Kosovën nuk është fare e brengosur se kush e organizon protestën, vetëm AAK apo AAK e VV bashkë. E rëndësishme sipas tyre është të organizohen protesta të cilat sa më parë do ta rrëzonin këtë qeveri.
Për dallim nga Vetëvendosje e cila kritikoi AAK-në për thirrjen e protestës së 14 majit pa konsulta me pjesën tejtër të opozitës, Nisma për Kosovën konfirmon pjesmarrjen në këtë protestë dhe nuk e sheh fare problem se kush e ka organizuar atë.
Bilall Sherifi nga Nisma ka thënë për lajmi.net, se e kanë përnjëmend kundërshtimin ndaj qeverisë dhe nuk u bën përshtypje lufta për bajraqe.
“Nisma në pjesëmarrjen e saj në kundërshtimin e kësaj Qeverie asnjëherë nuk e ka lidhur me atë se a po pyet dikush ajo. Ne e kemi përnjëmend kundërshtimin e Qeverisë dhe fare nuk na bënë përshtypje kjo lufta për bajraqe. Ne do të marrim pjesë në protesta që i organizon qoftë AAK , VV apo të dyja bashkë, sepse jemi të angazhuar dhe e kemi seriozisht mbështetjen e rrëzimit të kësaj qeverie,në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Sherifi për lajmi.net.