Vazhdon saga e banorëve të Kumanovës për ujë të pijshëm. Në shumë lagje të qytetit përfshi fshatin Çerkez, qytetarët vuajnë mungesën e ujit me ditë të tëra. Ata druajnë nga paraqitja e ndonjë sëmundjeje në këto ditë të nxehta. Banorët shprehen të revoltuar nga mungesa e zgjidhjes nga autoritet edhe pse siç thonë i paguajnë faturat rregullisht
“Prej në fillim të Ramazanit këtu kemi vështirësi të mëdha për ujë për pije, për amvisëri, për lokal këtu, e patë sa kam vështirësi. U desh të marr prej bunari ujë me kova, e shikoni këtu nuk ka ujë, 3 ditë 4 nuk ka ujë. Ky është problemi, dikush e fajëson ujësjellësin dikush thotë uji i fushës, gjithnjë e më shumë vështirë kemi me ujin. Sezonin dimëror vijnë mërgimtarët ndalet rryma, sezonin veror ujë s’ka”.
“Qe 10 ditë heqim kështu, maltretim i madh”.
“Kemi shtypje të gjakut, unë i kam 66 vjet, më mundon shumë, nuk kemi ujë, as të freskohemi pak”.
Shqetësim të thellë për mungesën e ujit shprehën edhe mërgimtarët, të cilët siç thonë kanë humbur dëshirën për t’u kthyer në vendlindje për shkak të kushteve të këqija, transmeton Alsat – M.
“Ne jemi duke hequr për ujë, nuk ka as ujë, kemi ardhur për pushim të kënaqemi nuk kemi ujë, nuk interesohet askush, fëmijët po vuajnë për ujë. I kisha lutur ata kryesorët që të bëjnë një zgjidhje se po vuajmë shumë për ujë”.
“Ne jemi prej jashtë kemi ardhur kinse të bëjmë një pushim të mirë këtu, ujë nuk ka, ndërkaq ne duhet të paguajmë me rregull, nuk e kuptojmë për çka të paguajmë, nuk e dimë ku të ankohemi më”.
Nga ndërmarrja e Ujësjellësit paralajmëruan zgjidhje përfundimtare të problemit dhe dhënien fund të ping pong-ut mes këtij institucioni dhe ndërmarrjes tjetër Ekonomisë së ujërave.
“Javën që vjen, eventualisht pas dy javësh do të ketë një marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Ekologjisë, Komunës së Kumanovës, Ekonomisë së Ujërave, ndërmarrjes Ujësjellësi.
Dhe shpresojmë se ky problem do të zgjidhet dhe qytetarët nuk do të kenë më problem të tillë me ujin. Kjo marrëveshje përfshin një çmim stabil, më e ulët se sa tash që e paguan ndërmarrja jonë, me të cilën do të kemi mundësi të paguajmë vlerën që ata e kërkojnë.
Besoj se edhe nga ana e tyre nuk do të kemi më problem, nuk do të ketë thashetheme se Ujësjellësi këtë e bën qëllimisht për arsye politike. Këtë e përgënjeshtroj unë, sepse vet kam dal dhe kontrolluar të gjitha gypat prej të cilave furnizohet fshati Çerkez, nuk ka as defekt as gypa të mbyllura”, u shpreh Faruk Saiti, zv/drejtor i Ujësjellësit.
Banorët e fshatit Çerkez disa herë u përpoqën të nxisin zgjidhjen e problemit të ujit edhe përmes protestave por nuk patën sukses. Problemi me ujin e pijshëm në këtë fshat daton që nga viti 2002.