Në vijim të Samitit të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Vjenë, më 27 gusht të 2015 dhe në përgatitje të Samitit që do të mbahet në Paris në korrik të vitit 2016, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, organizon në Durrës, më 30-31 mars, takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas njoftimit zyrtar, në këtë takim pritet prania e Komisionerit të BE-së për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johanes Han, Sekretarit të Përgjithshëm të RCC, Goran Svilanovic, Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Lubomir Zaoralek në kapacitetin e tij si kryesues i rradhës i Grupit të Vishegradit (V4) si dhe Sekretarit të Shtetit, Harlem Desir dhe nënsekretarin italian për Punët e Jashtme Vincenzo Amendola si të ftuar nderi.
Ky Ministerial do të jetë një mundësi për pjesëmarrësit për të vlerësuar dhe thelluar më tej punën e bërë lidhur me përgatitjen e projekteve rajonale të ndërlidhjes në fushën e transportit dhe energjisë, në kuadër të përgatitjeve për Samitin për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në Paris në korrik.
Diskutimet do të përqendrohen në çështje të bashkëpunimit rajonal, ecurinë e ngritjes së Fondit të Ballkanit Perëndimor dhe përgatitjet për ngritjen e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor.
Takimi do të përmbyllet me një deklaratë të përbashkët lidhur me sfidat e përbashkëta si kriza migratore e çështjet e sigurisë dhe impaktin e tyre në vendet e Ballkanit Perëndimor.
↧
Në Durrës do të mbahet Takimi i ministrave të punëve të jashtme të Ballkanit Perëndimor
↧