Pas tentativës për të afruar Arta Daden, Edi Rama është përpjekur dje që të afrojë dy deputetët e tjerë që mbështesin Ben Blushin.
Konkretisht, Edi Rama shfrytëzoi dje një aktivitet në Shkodër për të zbutur Mimoza Hafizin dhe Namik Koplikun.
Por, ndryshe nga pritshmëria që mund të kishte Edi Rama, deputetja e Shkodrës sërish kërkoi zgjedhje. Hafizi u thirr në podium nga Edi Rama për t’i dhënë kartën e anëtarësisë një vajze.
Me këtë rast, ajo mbajti dhe një fjalim të shkurtër. Deputetja Hafizi tha se duhet të zhvillohen zgjedhje për kryetarin.
“Ju të rinj vini në PS për një karrierë të gjatë, të garantuar. Dhe ju shpresoni që të mos shpërfilleni as ju e as shoqet tuaja.
Dëshiroj që të keni ardhur për të gjetur një strukturë demokratike, ku respektohen rregullat e normat. Ku secili prej jush ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, nga kryetari i organizatës e deri te kryetari i partisë”, u shpreh deputetja e Shkodrës.
Në vijim, deputetja u shpreh se të rinjtë duhet të gjejnë një parti më të mirë.
“Shpresoj se ju vini në PS për të sjellë një qeverisje më të mirë, kundër korrupsionit, antishtetit, për kolegjialitet në PS, për respekt. Jam e sigurt që ju do të kërkoni t’i gjeni këto në PS. Dhe nëse është kjo, për një Shqipëri më të mirë, përmes një partie më të mirë, ardhtë sa më parë dita që kjo parti dhe fati i saj të jetë në dorën tuaj”, u shpreh Hafizi.
↧
Rama kërkon paqe me kundërshtarët në Shkodër
↧