Numri i refugjatëve sirianë dhe nga vendet e tjera të Lindjes së Mesme ka nisur të rritet në kufirin shqiptar.
Pas strehimit të 162 personave në Konicë, shumë pranë territorit tonë, mediat greke raportojnë se janë duke u bërë gati kampe të tjera në territore kufitare.
Në këtë mënyrë, rreth 5 mijë refugjatë pritet që të vendosen në zonën e Kosturit, Igumenicës dhe të Follorinës. Portali “Ola Deka” ka njoftuar se qeveria greke ka një plan për strehimin e tyre në zonat kufitare, teksa kjo do të mundësojë largimin më të shpejtë të tyre.
Një veprim i tillë vjen në momentin kur situata në Greqi ka kapur majat, për shkak se numri i refugjatëve është rritur ndjeshëm dhe kanë nisur të përhapen epidemi.
“Lëvizja e refugjatëve drejt Shqipërisë duket e pashmangshme. Qeveria greke njoftoi se do të nisë strehimin e sirianëve vetëm disa kilometra nga kufiri shqiptar. Të paktën 70 mijë refugjatë janë bllokuar në Greqi dhe qeveria ka filluar punën për shpërndarjen e tyre.
Katër qendra pritje do të krijohen në Filippiada, Igumenicë dhe në Janinë. Nga ana tjetër në Kostur, Follorinë dhe Ptolemaidë ka nisur puna për ngritjen e kampeve”, është shprehur portali.
Të gjitha vendet e përmendura prej tij janë në kufirin shqiptar, që tregon se shumë shpejt përgjatë vijës kufitare Kapshticë- Kakavijë, do të jenë rreth 5 mijë sirianë, por jo vetëm, që presin hapjen e kufirit.
Kryeministri Edi Rama pak kohë më parë deklaroi se Shqipëria nuk do të hapë kufirin nëse nuk ka një plan të qartë masash nga Bashkimi Evropian.
Por ditët e fundit numri i tyre në Greqi është rritur ndjeshëm, teksa dhe Turqia ka dhënë alarmin, duke thënë se janë rreth 3 milionë persona që do të shkojnë drejt shteteve të Bashkimit Evropian.
Edhe media të tjera ndërkombëtare kanë thënë se Shqipëria është rruga e vetme, pas bllokimit që ka bërë Maqedonia dhe Bullgaria.
↧
5 mijë refugjatë gati të hyjnë në Shqipëri nga Greqia, rrezikohemi nga hepatiti A
↧