Administratori i kompanisë “Omega Farma” është arrestuar ditën e djeshme nën akuzën e kontrabandës.
Departamenti Operativ-Hetimor, Antikondrabanda dhe Krimi Ekonomik në Tiranë finalizuan ditën e djeshme operacionin “Vitamina”, duke vënë në pranga dy shtetas.
Mësohet se është arrestuar për kontrabandë barnash administratori i kompanisë “Omega” – Farma dhe një agjent doganor.
Paraprakisht dyshohet se në bashkëpunim këta shtetas shmangën detyrimin doganor në vlerën 40 milionë lekë. Në Doganën e Tiranës, Drejtoria e Antikontrabandës dhe Hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave në bashkëpunim me Seksionin për Krimin Ekonomik e Financiar finalizuan operacionin “Vitamina”, ku edhe u arrestuan në flagrancë shtetasit Fatos Çausholli, 75 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i kompanisë “Omega Farma” dhe Merlind Berberi, 32 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë agjent doganor në agjencinë “Etna Al”.
Sipas burimeve zyrtare të policisë, administratori i kompanisë “Omega Farma” u arrestua për veprën penale “Kontrabandë me mallra të tjera”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në doganë në ngarkesën e ardhur për llogari të kësaj kompanie rezultoi se kishte shmangie të detyrimeve doganore në vlerën 40 milionë lekë.
Për të realizuar këtë mosdeklarim, ai ishte ndihmuar nga agjenti doganor, shtetasi Berberi, i cili u arrestua për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Materialet në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur do t’i Kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale të parashikuara nga neni 174 dhe 248 të Kodit Penal.
“Omega Farma”, pjesë e një skeme mashtrimi
Në muajin Nëntor, Prokuroria e Tiranës zbuloi një skemë mashtrimi, duke urdhëruar ndalimin e 13 personave, 10 administratorë dhe punonjës të farmacive dhe 3 zyrtarë të sigurimeve.
Kështu, u urdhërua arrestimi i pronarit të depos farmaceutike “Omega Pharma”, drejtues të kësaj depoje, disa farmacistë dhe zyrtarë të Fondit të Kujdesit Shëndetësor Rajonal, Tiranë, të dyshuar se janë përfshirë në një skemë mashtrimi të madhe me rimbursimin e ilaçeve.
Vetëm me një recetë ku i shënuar rezulton ilaçi ketosteril që përdoret për kurimin e veshkave, farmacitë përfitonin 9000 lekë të reja rimbursim nga shteti, por realisht farmacitë këtë ilaç nuk ia lejonin asnjë.
Prokuroria e Tiranës (Njësia Task-Forcë) thotë se në krye të kësaj skeme, të evidentuar së fundmi, qëndron shtetasi Nadir Çausholli, administrator i depos farmaceutike “Omega Pharma”.
Objekti i hetimit fillimisht ka pasur të bëjë me rimbursimin e çmimeve të medikamenteve mjekësore, për sa u përket recetave të ekzekutuara pranë katër subjekteve farmaceutike, të cilët janë Farmacia Lundër, Nutrimed 2012, Bërzhitë dhe Adelina.
Përveç farmacive të sipërcituara, objekti i hetimit të këtij procedimi është zgjeruar edhe tek aktiviteti i disa farmacive të tjera, të cilat rezultojnë të kenë përfituar vlera të larta rimbursimi për sa u përket medikamenteve mjekësore, çmimet e të cilave rimbursohen nga shteti.