Derisa Lëvizja Vetëvendosje deklaron se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët të Opozitës për veprimet e mëtutjeshme të deputetëve opozitarë dhe po diskutohen opsionet, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë e ka ndarë mendjen.
Kreu i kësaj partie, dje publikisht deklaroi se opozita ka vendosur që për një kohë të pacaktuar mos të shkojë në Kuvend, mirëpo mandatet e deputetëve nuk dorëzohen.
Por, Adonis Tahiri, zyrtar për media i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se deklarimet e tanishme në media janë vetëm ide që diskutohen nga partitë veç e veç, sepse një vendim final dhe i përbashkët nuk është marrë.
“Ka shumë ide që po diskutohen brenda secilit subjekt, ide këto për aktivitetet e përbashkëta para protestës së 26 marsit, si dhe për aktivitetet e protestat e ardhshme edhe pas saj. Sapo të kemi një qëndrim të përbashkët si opozitë e bashkuar, do ta bëjmë publik”, ka thënë Tahiri për Klan Kosova.
Ai pohoi se bisedimet mes tri partive opozitare janë në vazhdim e sipër.
“Jemi në diskutim të vazhdueshëm për format e veprimit dhe për mënyrën se si të arrijmë sa më parë tek qëllimet e lartpërmendura”.
Por, për AAK-në, sipas përgjigjeve të Muharrem Nitajt, sa i përket mospjesëmarrjes në seanca diskutimet s’kanë përse të vazhdojnë më.
“Ata (deputetët) dje e kanë bërë hapin e parë konkret duke dalur nga Kuvendi, ku ka pasur edhe një fjalim përshëndetës, në emër të tri partive nga deputeti Ismail Kurteshi, dhe ne e kemi konsideruar si dalje të përbashkët nga Kuvendi”, ka thënë Nitaj.
Në anën tjetër, Indeksonline merr vesh se tashmë edhe Nisma për Kosovën ka marrë vendim që të braktiset Kuvendi.
“Kryetari Limaj ka thënë ditëve të fundit se efekti i gazit lotsjellës është arritur dhe tashmë hapi tjetër duhet të jetë braktisja e Kuvendit në mënyrë që presioni ndaj qeverisë të bëhet nga jashtë”, ka thënë një burim brenda Nismës për Kosovën.
Po ashtu Indeksonline merr vesh se deklarimi i djeshëm i Haradinajt para mediave nuk është pritur edhe aq mirë nga Vetëvendosje dhe Nisma, pasi që “fjalët” kanë qenë që të dalin me qëndrim të përbashkët, e jo veç e veç.