Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, ka marrë të gjitha masat e nevojshme policore për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në rajonin e Prishtinës, dhe kjo duke punuar me vendosmëri dhe përkushtim për kapjen e personave që dyshohen të jenë të implikuar në veprimtari kriminale, dokumentimin ligjor të veprimeve të tyre kriminale, si dhe vënien e tyre para drejtësisë.
Kësisoj, pas pamjeve të shfaqura në disa media vendore më datë 26.02.2016 ku shihet, një person i dyshuar duke gjuajtur me armë zjarri, nga dritarja e një ndërtese në rr. “Nëna Terezë” në Prishtinë, policia menjëherë nisi një hetim lidhur me rrethanat që karakterizonin rastin me qëllim identifikimin e të dyshuarit.
“Marrja e informacioneve në rrugë operative, ndërmarrja e një spektri të gjerë të veprimeve hetimore dhe atyre operative, i mundësuan policisë që të identifikojë personin e dyshuar për rastin në fjalë. I dyshuari është identifikuar dje nga ana e policisë dhe gjithashtu është kërkuar që të paraqitet në polici, i njëjti është paraqitur në stacionin policor qendra në Prishtinë sot rreth orës 09:30. Atij i është konfiskuar arma, një karikator me 5 (pesë) fishek, si dhe leja e armës që i dyshuari e posedonte”, raporton Policia e Kosovës.
Pas përfundimit të veprimeve të sipër cekura ndaj të dyshuarit, me urdhër të Prokurorit të shtetit i dyshuari F.K mashkull 45 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, është liruar në procedurë të rregullt./Koha