Matja e opinionit publik është bërë gjatë muajit tetor të vitit 2015, në të gjitha rajonet e Kosovës, transmeton Koha.net.
Për këtë hulumtim janë anketuar 1,070 qytetarë.
Rezultatet e këtij hulumtimi tregojnë se besueshmëria e qytetarëve ndaj Policisë është rritur gjatë vitit 2015 në krahasim me vitin 2014 për 14 për qind.
Se kanë besim në Policinë e Kosovës kanë thënë 56 për qind e qytetarëve dhe 23 për qind janë shprehur se i besojnë deri diku.
Janë disa arsye për rritjen e besueshmërisë në këtë institucion. Në radhë të parë, veprimet e fundit të Policisë, me theks të veçantë në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe mbikëqyrjen e grupeve ekstremiste në Kosovë duket ta kenë rritur besueshmërinë në PK. Në radhë të dytë vjen roli i fuqishëm i saj në ruajtjen e rendit publik, sidomos gjatë protestave të ndryshme, përfshirë dhe ato të dhunshme, duke u përballur në të njëjtën kohë me trysni të madhe politike qoftë nga qeveria, qoftë nga opozita.
Por, në anën tjetër, 21 për qind e të anketuarve janë shprehur se nuk i besojnë Policisë dhe ne kemi gjetur se qytetarët nuk konsiderojnë se PK-ja ka qenë e suksesshme në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Shikuar nga perspektiva etnike, rezultatet tregojnë se 58 përqind e shqiptarëve i besojnë punës së Policisë dhe 60 për qind e pakicave jo-serbe kanë besim në këtë institucion. Megjithatë, pakica serbe në Kosovë vazhdon të jetë mosbesuese ndaj Policisë (vetëm 29 për qind e serbëve të anketuar i besojnë Policisë).
Përkundër faktit që komuniteti serb është i përfaqësuar mirë në radhët e Policisë, kjo nuk ka ndryshuar qëndrimin e pakicës serbe ndaj Policisë në përgjithësi. Varësia e vazhduar e serbëve të Kosovës nga institucionet e Beogradit, përshtatja e institucioneve të tyre paralele të sigurisë të financuara nga Serbia në Kosovë, sidomos në veri, si dhe refuzimi për t’i njohur institucionet e Kosovës, janë disa nga arsyet e shumta që kanë ndikuar në qëndrimet e serbëve ndaj PK-së dhe institucioneve tjera të Kosovës.
Qytetarët e anketuar janë pyetur edhe për ndikimin politik në punën e Policisë. Shumica prej tyre (53 për qind) besonin se Policia mbron interesat e qytetarëve. Ndërkaq, 23 për qind e të anketuarve ishin të mendimit se Policia është në shërbim të Qeverisë së Kosovës, ndërsa 12 për qind pohuan se ky institucion punon për interesat e partive politike. Duke u nisur nga këto perceptime, mund të arrihet në përfundimin se deri në tetor të vitit 2015 të anketuarit besonin se PK-ja ka arritur të ruajë ekuilibrin për të qenë në shërbim të interesit të përgjithshëm publik. Por, duhet të përmendet se kjo anketë është realizuar gjatë muajit tetor të vitit 2015, disa javë para se të nisnin protestat e opozitës kundër Qeverisë, me ç’rast disa deputetë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e opozitës u arrestuan nga Policia gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2015.
Sa i përket kontaktit të qytetarëve me Policinë, ky hulumtim ka gjetur se shumica e të anketuarve kanë pranuar se Policia është institucioni të cilin do ta kontaktonin të parin për nevoja të ndryshme, kryesisht për çështje të lidhura me sigurinë. Në këtë mënyrë, 58 për qind e të anketuarve kanë deklaruar të kenë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me Policinë, derisa 42 për qind prej tyre nuk kanë pasur ndonjë kontakt me këtë institucion. Këtu mund të ketë ndikuar edhe vetë natyra e punës së PK-së, e që ngërthen mbrojtjen e jetës dhe ofrimin e sigurisë së përgjithshme për të gjithë njerëzit në Kosovë.
Policia Kufitare dhe Policia e Trafikut janë njësitë policore më të cilat qytetarët kanë pasur më së shumti kontakt. Në sytë e qytetarëve, as Policia e Kosovës nuk duket të jetë e paprekur nga fenomeni i korrupsionit, ndonëse në krahasim me institucionet tjera të vendit, qytetarët e kanë radhitur Policinë ndër institucionet më pak të korruptuara. 41 për qind e të anketuarve kanë ndarë mendimin se PK-ja nuk është e korruptuar, në krahasim me 27 për qind sosh që kanë pohuar të kundërtën, kurse 28 për qind prej tyre nuk kanë pasur ndonjë mendim për këtë çështje. Në kuadër të këtij hulumtimi, QKSS-ja e ka konsideruar të rëndësishme matjen e opinionit publik në lidhje me punën e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK). 40 përqind e të anketuarve deklaruan se i besojnë IPK-së, derisa 27 për qind janë përgjigjur se i besonin deri në një masë. Ndërsa, 30 për qind e të anketuarve janë shprehur se nuk i besojnë IPK-së. Edhe pse besueshmëria ndaj këtij institucioni ka dal të jetë më e ulët në krahasim me Policinë, perceptimet e qytetarëve lidhur me IPK-në mund të vlerësohen se deri diku janë pozitive. IPK-ja është kritikuar shpesh për mungesën e kapaciteteve profesionale në mbikëqyrjen e Policisë dhe se duhet të jetë më transparente në punën e saj përballë Policisë.