Në Poreç, Bashkësia Shqiptare e Istrës në bashkëpunim me Bashkësinë Shqiptare të Poreçit dhe të Medulinit e për nder të tetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës organizoi Festivalin e Parë të Filmit të Kosovës, ku u prezantua filmi “Babai”.
Lajmin e ka dhënë ministri i Diasporës, Valon Murati, teksa ka treguar se atje ka takuar edhe kryetarin e Bashkisë së Poreçit si dhe kryetarin e komunës së Medulinit me të cilët bisedoi për pozitën e shqiptarëve në Istër si dhe për vendosjen e urave të bashkëpunimit me komunat e Kosovës në të ardhmen.
“Pata takime edhe me bashkatdhetarët tanë të cilët përveç që janë mirë të integruar në Kroaci, janë faktor i rëndësishëm ekonomik i qyteteve ku jetojnë dhe vazhdojnë të organizojnë mësimin e gjuhës shqipe. Gjithsesi modeli i avancuar që ka Kroacia në akomodimin e të drejtave dhe interesave të pakicave kombëtare duhet të përshëndetet. Një mirënjohje e veçantë për organizmin e këtyre aktiviteteve shkon për aktivistët e palodhshëm të komunitetit shqiptarë si z.Idriz Sylejmani, z.Rrok Lekaj kryetar i Bashkësisë Shqiptare të Istrës, por edhe miqve kroat të rajonit të Istrës”, ka thënë Murati. “E veçanta e takimit në Poreç ishte se për herë të parë Bashkësia Serbe e Poreçit dhe Istrës zyrtarisht ua uroi shqiptarëve përvjetorin e pavarësisë së Kosovës”, ka shtuar ai.