Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, ka ndryshuar pjesërisht listën klienteliste të Lulzim Bashës, me përfituesit e banesave sociale.
Që në fund të vitit të kaluar, Basha tentoi të kalonte në Këshillin Bashkiak listën me familjarë që përfitojnë banesa sociale nga Bashkia e Tiranës.
Por, kjo listë u bllokua për shkak të dyshimeve se Basha kishte përfshirë militantë të Partisë Demokratike dhe sekserë, duke lënë jashtë familje, të cilat e meritonin vërtetë një banesë me kosto të lehtësuar.
Ndërkaq, sipas burimeve, kjo listë ka pësuar ndryshime të cilat do miratohen në mbledhjen e datës 13 gusht të Këshillit Bashkiak. Pra, ashtu siç kishte premtuar, në mbledhjen e 13 gushtit të Këshillit Bashkiak pritet t’i jepet fund problemit me banesat sociale, të cilat kanë qenë të bllokuara prej 3 vjetësh nga ish-bashkia e drejtuar nga Lulzim Basha.
Në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit, pika e 5 është pikërisht për “përzgjedhjen e listës së aplikuesve, përfitues të programit të banesave sociale me qera, në zonën e Shkozës, ish-fonderia mekanike”.
Me marrjen e vendimit nga Këshilli Bashkiak, dhe përzgjedhjen e listave të aplikuesve, banesat do t’i shpërndahen qytetarëve pas viteve të tëra pritjeje. Përpos zgjidhjes së banesave sociale, Bashkia e Tiranës do shpërndajë kredi të buta për qytetarët në nevojë.